Duke qënë dëshmitar okular i ajrit të ndenjur të një realiteti absurd mbushur me krisma hakmarrjesh vrastare, zhgënjimesh e peripecish të panumërta mendimi i parë që i lind një individi nga e ashtuquajtura demokraci shqiptare është se si të mbrohet prej falsitetit të saj, prej demagogjisë pa cipë, cinizmit, papërgjegjshmërisë e shëmtisë së saj patologjike, e aftë të turbullojë edhe pasqyrën. Dhe mbrojtje më të bukur se sa ta sulmosh të keqen në thelbin e saj me shtiza vargjesh e mesazhe zgjuarsie nuk besoj se do të ketë
Poezia është si një teshtimë ka thënë dikush, po të erdhi ke nevojë ta nxjerrësh pa tjetër. Edhe pse bie dakort gjer në një farë mase me këtë thënie, më duhet të shtoj edhe nje fakt tjetër. Poezia është edhe një dritare shpirtërore dhe një lloj fryme e shenjtë, për ta parë botën tonë më të bukur, për t’u ndjerë me të më i afërt me trup e shpirt. Prandaj i jap të drejtë mikut dhe patriotit tim Shahin Ibrahimit, kur ulet çdo ditë në atë këndin e tij të qetë të punës, për të hedhur në kompjuter copëza gëzimesh dhe brengash të marra nga përditshmëria. E thënë më qartë Shahini tenton t’i japë jetës së tij edhe një përmasë tjetër, për ta bërë atë më të përgjegjshme e më të tejdukshme, të njëjtë me qiejt e bukur të prillit mbas shirave. Duke qënë dëshmitar okular i ajrit të ndenjur të një realiteti absurd mbushur me krisma hakmarrjesh vrastare, zhgënjimesh e peripecish të panumërta mendimi i parë që i lind një individi nga e ashtuquajtura demokraci shqiptare është se si të mbrohet prej falsitetit të saj, prej demagogjisë pa cipë, cinizmit, papërgjegjshmërisë e shëmtisë së saj patologjike, e aftë të turbullojë edhe pasqyrën.
Dhe mbrojtje më të bukur se sa ta sulmosh të keqen në thelbin e saj me shtiza vargjesh e mesazhe zgjuarsie nuk besoj se do të ketë. Autori e përjeton këtë realitet, jo si një njeri i zakonshëm dhe i rëndomtë, por me shqisat e një poeti dhe një qytetari militant. Ai preket dhe revoltohet, për shokët e tij të dikurshëm, që me të veshur kostumin e pushtetarit dhe të parasë harrojnë se janë krijesa njerëzore dhe kthehen në shëmbëllime hijenash e ujqërish me kollare. Nuk ka gjë më të rëndë dhe vrastare në një shoqëri, kur në krye të saj vendosen pushtetarë të papërgjegjshëm, që tentojnë ta mjelin Atdheun e tyre sikur të ishte një lopë. Qielli i poezive me temë shoqërore të Shahinit është i mvrenjtur dhe me plot të papritura. Në çdo hap që hedh poeti i duket se shkel mbi kurthe e gracka mashtrimi, po kështu edhe të gjithë njerëzit e thjeshtë si ai. Ngado korrupsion, babëzi dhe vakuum intelektual. Poeti ndjen dëshirën të klithë dhe të bërtasë, pse jo edhe të përleshet trup më trup me këtë vakuum.
Por në pamundësi për ta bërë këtë, ai vizaton me dorë të dridhur portrete buzëqeshjesh, dashurish “dhe kangësh të pa këndume”, sepse të keqes duhet t’i vëmë përballë energjitë tona për ta ndalur është lajtmotivi i tij i shpallur. Ka shumë poezi të tilla me këtë temë si “Kush je do mbetesh”, “Buzë varrit”, “Brezave që vijnë”, “Për mëshirë”, “S`bëj për çadër” etj. Por ajo që e veçon nga të tjerët këtë liber janë poezitë me temën e Çamërisë. Poezia e tij është vënë me kohë në funksion të evidentimit dhe nxjerrjes në dritë të kontureve të Atdheut të tij të çprishur dhe gjysmë të harruar nga barbarët dhe pesëdhjetë vite të Diktaturës. Shfletimi i librit të këtij autori shpeshherë është i barazvlefshëm me fëshfërimën e sinqertë të ullinjve shekullorë të vendlindjes së të parëve të tij dhe kumbimin e lotëve transparent të Çamërisë. Ka shumë mall poezia e tij, aq shumë sa shpesh ai sikur e përmbyt atë me copëza valësh e vezullime diejsh të mohuar. Në përpjekje për ta përmbajtur veten para tyre, shpirti i poetit thërmon veten sinqerisht. Ka dhe të tjerë që i kanë kënduar me forcë atdheut të tyre të mohuar, por jo me këtë pathos e dlirësi sa ai. Duke u bërë dëshmitari i këtij zëri mua s’di pse më vjen papritur në vesh vargu i pavdekshëm Naimjan, shkruajtur mbi njëqind vjet më parë kushtuar mallit të tij për Atdheun:
“Kur ndëgjon zërin e s`ëmës
Qysh e lë qëngji kopenë
Blegërinë dy a tri herë
Dhe ikën e merr dhenë….”
Qënkësh shkruar që njerëz të ndryshëm në kohëra të ndryshme të përjetokan të njëjtat situata e thirrje shpirtërore identike, si të Shahinit dhe të bashkëpatriotëve të tij. Por ç`të bëjsh qenkemi të dënuar që ne të na ndjekë përjetësisht malli i dherave të mohuar e të rrëmbyer nga më të mëdhenjtë dhe më dinakët se ne. Sepse fqinjët tanë edhe mirëmëngjesin na e paskëshin pasur me hile. Çamëria është dhe mbetet një mall i madh,siç thotë autori që vazhdon të na plasë buzët nga ora në orë. Ne populli muhexhir ecim në shi ka thënë i madhi Bilal Xhaferri, dikur nga fundi i viteve 60-të në kohën e diktaturës moniste, në atë kohë kur emri i vendlindjes sonë nuk lejohej as ta zije me gojë lëre më të mendoje diçka më tepër. Emri Çamëri u shua në faqet e çdo teksti dhe u tentua paturpësisht ta mbysnin në puset e harresës. Ndonëse për një kohë të gjatë diktatura ja arriti ta bëjë këtë zemra dhe kujtesa e një kombi të tërë ja doli ta ringjallte nga hiri i saj atë ashtu si zogu Feniks në mitet dhe legjendat e antikitetit.
Çdo popull ka një kujtesë që ja kalon edhe atyre më mitike. Shahin Ibrahimi dhe burrat e tjerë të ngjashëm me të, janë pjesë e krahëve mitik të këtij zogu që ulet çdo buzë mbrëmjeje në tokën e tij të bekuar, ku kulti i Dodonës dhe i krenarisë Epiriote këmbejnë pafundësisht mesazhe drite dhe krenarie me njëri tjetrin dhe nuk pranojnë asnjëherë t’i thonë lamtumirë atdheut të tyre të shenjtë. Poezia e këtij poeti është më tepër se mall, një kumt i baladave të reja dhe të vjetra, mish dhe gjak ribërje, këngë dhe elegji njëherësh. Kam parë shumë nga të dashurit e mi të zemrës gjysh, gjyshe, xhaxha dhe kushërinj që në shtratin e vdekjes t’i ngrenin sytë dhe t’i drejtonin nga fushat dhe bogazet e harruara të vendlindjes së tyre Çamërisë duke ja falur asaj fjalët e fundit të jetës së tyre.
Dashuria për Çamërinë është një amanet që do të trashëgohet brez pas brezi nga të vdekurit tek të gjallët, është një plagë që s`mund të mbyllet kurrë dhe dhemb pafundësisht në trupin e Atdheut. Këtë gjë merr përsipër edhe vargu poetik i Shahinit, të prekë dhe të çojë në viset e ëndrrës amanetin dhe fjalët e tyre. Ata që arrijnë të depërtojnë brenda strukturës së këtyre vargjeve, krahas këna-qësisë artistike që emetojnë ata do të marrin me vetë edhe shumë çka nga pesha e lotit dhe pengut të tij ende të paplotësuar për të folur edhe një herë goja gojës me ullinjtë dhe gurët e rëndë të Çamërisë martire. Tingulli emocional dhe ndjesor i këtij autori është i aftë të të kaplojë çdo çast të leximit tënd. Kjo gjë vihet re që nga vjersha e parë deri tek e fundit. Poeti lutet me vargun e tij ashtu siç di të lutet një besimtar përballë një shenjtoreje, t’i hapet asaj me një gjest qytetarie dhe sinqeriteti. Tërësia e këngëve ngrihet e tëra mbi shtratin e dhimbjes dhe mallit, por pa u bërë pre e saj ajo e lufton dëshpërimin dhe dobësinë e lotit sepse si qëllim të saj të parë ka fluturimin. Duke u bërë edhe ne pjesë e këtij fluturimido t’i uroja autorit:
-Krahë më të fortë artistikë, metafora dhe tinguj më kumbues identik me shpirtin e tij të pamatë. Megjithëse shkruan thjesht, pa pretendime të dukshme artistike, tematika e vargjeve të tij duke u prirur nga thellësia dhe e veçanta të josh e të bën për vete edhe për faktin se autori ka ditur të gjejë ura dhe kode komunikimi. Patriot i çështjes Çame, por dhe një zë shoqëror i sinqertë, ky libër arrin të pikturojë para nesh qiej të bukur, por dhe dete të sinqertë ndjesish njerëzore.