Këtë të premte është mbledhur Këshilli i Legjislacionit ku është diskutuar çështja e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, e cila akuzohet nga opozita se bashkëshorti i saj ka përfituar nga qeveria statusin e investitorit strategjik.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i pranishëm në mbledhjen për të nisur procedurën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e ministres Olta Xhaçka, tha se mazhoranca po merr në mbrojtje ministren.

Bardhi tha se mazhoranca nuk duhet të zvarritë procedurat, pasi sipas tij kjo është një tallje që po i bëhet Kushtetutës dhe ligjeve të Kuvendit.

Ai akuzoi mazhorancën se liroi Tahirin dhe tani po mbron ministren Xhaçka.

“Siç e kemi paralajmëruar është thjesht strategji për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, strategji për të marrë në mbrojtje ministren Olta Xhaçkën. Thatë se do e zgjidhnit vetë ekspertin, duhet të bëni publik emrin e tij. Na japin leksione për reformën në drejtësi dhe në një sprovë për të zbatuar vendimin e gjykatës, ju po e zgjasni. Kanë marrë dhe dy muaj kohë pushim, sot kanë ndryshuar atë çfarë kanë thënë herën e kaluar. Do marrin dhe 3 muaj kohë se do thonë eksperti ka shumë punë. Tallje me gjykatën dhe kushtetutën, zvarritje e procesit. Nëse keni vendosur ta sfidoni gjykatën duhet ta bëni vetë. Nuk ka çfarë të përmirësojë kuvendi kur ju talleni me vendimin e gjykatës. Nuk jemi ne që vendosim nëse Xhaçka ka shkelur kushtetutën, por Gjykata.

Jo sot na thoni se nuk i keni çuar pyetjet ekspertit, keni një vit që po e zvarritni çështjen. Është absurd kjo që po bëni, zbatoni vendimin e gjykatës. Nëse doni të bëni tallje, profesionisti që merr detyrën për të dhënë opinion është të bëhesh pjesë e talljes. Ju vazhdoni talluni me reformën në drejtësi, liruat Tahirin dhe po mbroni Xhaçkën. Po merrni në mbrojtje ministren që të marrë statusin e investitorit strategjik, çojeni te gjykata dhe të vendosë ajo. Qytetarët nuk kanë bukë të hanë ministrja ka 5 mln euro për të bërë hotel në bregdet. Zonja ministre ka vendosur të shkelë ligjin dhe do të duhet të shkojë dhe të përballet në Gjykatë Kushtetuese. Çojeni të GJK dhe të vendosë Gjykata Kushtuese”, tha ai.