Edi Martini dhe Teuta janë një binom perfekt, duken të bërë për njëri-tjetrin. Shkodrani, i cili në karrierën e tij si trajner ka fituar shumë trofe, tashmë ka kthyer në rrugën e duhur Teutën, e cila në fillim të sezonit dukej sikur do të dorëzohej shpejt për rënien nga Kategoria Superiore. Në të katërtën aventurë si drejtues me durrsakët, Martini ka lënë shije të mirë, pasi e ka kthyer skuadrën në shina dhe po merr rezultate të njëpasnjëshme. Të shumtë ishin ata që deri para pak javësh e konsideronin Teutën thuajse të rënë, por me kalimin e ndeshjeve ata po tregojnë të kundërtën.

Skuadra e Martinit është e shtata, vetëm 3 pikë larg nga Europa, teksa me afrimet e janarit ka fituar identitetin që i mungonte.Ekipi aktual, në 18 ndeshje nën drejtimin e Martinit, numëron nëntë fitore, dy humbje dhe 5 barazime, teksa do të tentojnë të marrë triumfin e radhës ndaj Partizanit, çka do t’i jepte shansin të qëndronte në pozita komode, duke u distancuar nga zona e rënies nga kategoria.

Blutë vazhdojnë përgatitjet për përballjen e radhës të shtunën me Partizanin. Lajmi i mirë për Edi Martinin është se infermieria është boshatisur dhe trajneri ka të plotë grupin e lojtarëve për sfidën me rivalët e kuq.Elementë të rëndësishëm të kampit blu, që kaluan dëmtimet, tashmë janë rikuperuar plotësisht, pasi kaluan një periudhë të vështirë për shkak të dëmtimeve.Një prej tyre ishte Goxha, i cili po gjen formën e duhur për një sfidë të rëndësishme si ajo me kryesuesit.

Gjithashtu gati për këtë duel do të jetë dhe mesfushori Ledio Beqja, i cili ndaj Egnatias mungoi për arsye kartonësh dhe pauza njëjavore i ka shërbyer më së miri për të qenë gati. Te Teuta kjo është një ndeshje që përgatitet me optimizëm, edhe për faktin se skuadra ka arritur të fitojë vetëbesim.Ndërkohë, në fushë Edi Martini përgatit taktikën anti-Partizani, me teknikun që në ditët në vazhdim pritet të kristalizojë zgjedhjet për sfidën, ku do të kërkohen tri pikët. Blutë kërkojnë ta përgatitin ketë sfidë si një përballje të radhës, duke kërkuar ta delegojnë presionin te rivalët.