Ndeshja mes Kukësit dhe Teutës e vlefshme për javën e 33-të të “Abissnet Supriore”, ka përfunduar me triumfin e durrsakëve. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Kukës Arena”, përfundoi me rezultatin 0-2, me Teutën që merr 3 pikë të vlefshme dhe del nga “Play Out”, ndërsa në krahun tjetër, Kukësi bie zyrtarisht në Kategorinë e Parë. Pas kësaj ndeshje, ka folur trajneri i Teutës, Edi Martini.

“Jam i kënaqur për pikët, por jo për lojën. Duhej që ta mbyllnim ndeshjen që në pjesën e parë. Në pushim diskutuam që duhet të mbanim ritmin. E fituam ndeshjen pak para se të përfundonte. Nuk jam i kënaqur me pjesën e dytë, por kemi 3 ndeshje të vështira që janë si finale për ne”, është shprehur fillimisht Edi Martini.

Çfarë ndodhi në pushimin e ndeshjes, se ju vuri në vështirësi Kukësi në pjesën e dytë?

“Është e vërtetë. Vetëkënaqësia ndikoi te çunat. E menduan të fituar ndeshjen më përpara. Janë 3 pikë të vlefshme, 3 pikë që na japin kurajo për vazhdimësinë”.

Faust vlen për Teutën, do jetë vitin tjetër?

“Teknikisht nuk mund të kthej përgjigje, por këto 3 ndeshje me duhet çdo lojtar. Pastaj është koha për të vendosur. Faust ka qenë i dëmtuar dhe s’ka dhënë atë që kemi pritur, por është një përgjigje që do kohë për t’u dhënë”.

Nëse do e merrje ekipin që nga fillimi i sezonit, mendoni se do ishit kandidat për Final 4?

“Jam i sigurtë që do isha më mirë në organikë. E kam thënë që nuk kemi pasur fatin në anën tonë. Në organikë do kishim qenë 100% ndryshe”.

A ka fitues derbi sonte?

“Unë mendoj se Partizani ka formë më të mirë për momentin. Tirana vjen pas një goditje në Kupë, është derbi nuk i dihet, por shoh më të favorizuar Partizanin”.