Nga Mila Ballhysa

U desh rrëzimi i një hoteli nga tërmeti, që të mund të shihnim detin nga rruga “Pavarësia”… 

Kështu shkruaja mbrëmjen e 30 nëntorit 2019, kur pjesa më e madhe e banorëve të Durrësit ishin larguar nga qyteti, ndërsa lëkundjet e tërmetit vazhdonin ende të tronditnin qytetin e dëmtuar rëndë. E shkruajta atë fjali mes nostalgjisë për të parë detin nga rruga e plazhit dhe dhimbjes për jetët njerëzore të humbura dhe shkatërrimeve masive të qytetit. Lidhja e durrsakëve me detin ka qenë mjaft e hershme, shumë prej nesh aty mësuan të hedhin hapat e parë. Nuk mund ta konceptojmë një sezon veror pa rërën, diellin, ujin e Adriatikut. Por prej shumë vitesh, durrsakëve nuk u pëlqen më plazhi i Durrësit. Jo prej rërës, as prej detit, por prej makutërisë për të rrëmbyer çdo centimetër katror për ta kthyer në beton, prej dalldisë për të ngritur shumëkatëshe që nuk na mundësojmë të shohim detin, prej babëzisë për të prerë gjelbërimin e për të na dhuruar grinë e zymtë të betonit.

Jo më kot po publikoj një foto nga lungomare e Vlorës. Pas Durrësit, Vlora e pavarësisë është qyteti që preferoj më shumë. Sa herë rikthehem aty shoh investime të rëndësishme, shoh perspektivën e një qyteti modern turistik në zhvillim e sipër. Për fat të keq nuk mund ta them këtë për Durrësin dhe prandaj më dhemb.

Kryeministri deklaroi pak ditë më parë, se do të vinte në Durrës. Do të drejtojë politikisht qarkun, por edhe do të pretendojë të jetë deputet i ardhshëm i tij. Dëgjuam se kryeministrit i dhimbsej qyteti i goditur rëndë nga tërmeti, por nuk dëgjuam kreun e qeverisë së vendit tonë të thoshte dy fjalë për masakrën e bërë në Durrës nga 20 vite keq qeverisje e kryebashkiakëve të partisë së tij.

“Durrësi është pjesa më e dëmtuar dhe pjesa më sfiduese e rindërtimit, pasi aty do të duhet të bëjmë një punë shumë të madhe. Kemi ecur shumë me projektet. Janë Emiratet e Bashkuara që do të na mbështesin financiarisht dhe me ekspertizë teknike në mënyrë që të arrijmë të bëjmë diçka fantastike në Durrës”,– u shpreh kryeministri.

Rindërtimin pas tërmetit, Rama do ta “tundë” gjatë fushatës si kartë fituese, por a do të gjejë guximin të dënojë masakrën urbane të bërë përgjatë pjesës më të madhe të vijës bregdetare të Durrësit? A do të gjejë guximin të justifikojë se pse në 5 vitet e fundit sipërfaqja e gjelbëruar urbane është përgjysmuar?  A do të gjejë guximin të japë alternativa për lehtësimin e trafikut të rënduar në rrugët kryesore të qytetit? A do të gjejë guximin të dënojë të paktën me fjalë batërdinë që është bërë me arkeologjinë dhe historinë në Durrës? 3000 vite histori që u varrosën nën mijëra metra kub beton që fatkeqësisht nuk tërheqin asnjë turist të huaj. 

Durrësin nuk e dëmtoi tërmeti, ai i vuri vulën. Shkatërrimi i pakthyeshëm Durrësit ka nisur shumë vite më parë. Vlorën e kam pëlqyer përherë, shumë më herët sesa Edi Rama të bëhej deputet i saj. E kam pëlqyer për një fakt të thjeshtë. Kur niseshe nga qyteti drejt Ujit të Ftohtë, syri të shihte veç det. Vlonjatët ditën ta ruanin detin.  Neve na e rrëmbyen vit pas viti, në plazh, në Shkëmbin e Kavajës, në Currila…  

Në gjendjen si është katandisur Durrësi nuk ka Edi Ramë që ta shpëtojë. Nëse do kishte dashur të shpëtonte qytetin nga ka origjinën nuk do të kishte lejuar “këpurdhat” shumëkatëshe të hidhnin shtat ngjitur me njëra-tjetrën, pa respektuar asnjë kriter urban duke i humbur qytetit mundësinë e perspektivës për t’u shndërruar në qytetin nr.1 turistik në Shqipëri. Durrësi kishte shanse më shumë se çdo qytet tjetër të kthehej në destinacion turistik në 12 muaj të vitit për shkak të klimës shumë të butë, bukurisë natyrore, turizmit kulturor dhe mendësisë perëndimore të qytetarëve të tij.

Modestisht, Durrësi mund të kthehej në një Pompei të vogël, ku arkeologjia të bashkëjetonte me qytetin e ri, që mund të ngrihej pak më larg rrënojave mijëra vje­çare. Durrësi kishte nevojë për vizionin e qytetarëve që e donin qytetin dhe zhvillimin e tij, jo vizionin e njerëzve të vegjël që shkurtësinë e tyre e lartësuan me shumëkatëshet e betonuara, disa prej të cilave u ngritën duke shkatërruar përfundimisht sitet arkeologjike në lagjet kryesore të qytetit. 

Pak ditë më parë, ministrja e kulturës Elva Margariti deklaroi se po punohej për ta futur amfiteatrin e Durrësit në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Vonë, shumë vonë për këtë vepër unikale në Ballkan, e që ende sot dergjet në mes të qytetit e pa zbuluar tërësisht. Propaganda e radhës do ta cilësonin shumë durrsakë në rrjete sociale deklaratën e ministres. Vonë, shumë vonë edhe për pjesët e murit rrethues apo gjetjet historike që u dëmtuan gjatë hedhjes shtat të Velierës, “kryevepra” prej betoni që i bën karshillëk monumenteve historike në zemër të qytetit.  

Rama ka të drejtë vetëm për një gjë kur thotë se Durrësi është pjesa më sfiduese e Rindërtimit. Këtu pritet të hidhen shumë para. Në këto 7 vite e ca qeverisjeje, Rama ka ditur përherë të jetë shumë pranë verdhushkave. Zakonisht, aty ku propaganda është më e madhe, edhe abuzimi është më i madh….