Na u dhurua një jetë e dytë, prandaj: MJAFT MË!

30/11/2019 - 20:33

Nga Mila Ballhysa

Një jetë e dytë për secilin prej nesh. Mund të duket pak e ekzagjeruar, por vërtet më 26 nëntor secili prej nesh fitoi një jetë të dytë. Në ato momente tmerri, kur toka na tronditej fort nën këmbë dhe shumë prej nesh luteshin që lëkundjet të kishin të ndalur, fati i mirë na shpëtoi, na dha një mundësi të dytë.

Për asnjë moment nuk duhet të harrojmë viktimat, 8 i përcollëm sot për në banesën e fundit. 5 ëngjëj të vegjël u futën në dhe... 

Në vend të 51 jetëve të humbura mund të kishte qenë secili prej nesh. Përderisa zoti na kurseu ta përdorim pjesën tjetër të jetës për të qenë më të mirë, më solidarë, më të përgjegjshëm, më të ndershëm e më sensitivë.  

Ajo natë e 26 nëntorit, pavarësisht se kushdo prej nesh kërkon ta harrojë për të vijuar jetën normalisht, nuk duhet të harrohet plotësisht. Nuk është e nevojshme të kujtojmë tmerri e atyre sekondave që për disa rezultuan vdekjeprurëse, por të mbajmë mend përherë se nganjëherë tragjeditë njerëzore mund të shërbejnë për të na përçuar mesazhe.

Ata që i kanë shtëpitë e padëmtuara të mos i gëzohen vetëm faktit se shpëtuan pa dëme, por të hedhin sytë edhe nga ata që në orën 03.54 të së martës dolën me rrobat e trupit nga shtëpia, e tani nuk kanë më çati mbi kokë. Për njerëzit e traumatizuar nga goditja e fatit, që u rrëmbeu gjithçka edhe një fjalë e mirë, edhe një vakt i ngrohtë shpeshherë nënkupton shumë.

Nëse para viteve 90 e kemi pasur shumë të fortë ndjenjën e komunitetit, duhet të sforcohemi ta rikthejmë sërish. Duhet të mësohemi të veprojmë si komunitet e jo si individ. Për 30 vjet është abuzuar aq shumë në qytetin tonë, saqë tërmeti mund të duket edhe si një rebelim i natyrës ndaj masakrës që kemi bërë në qytet. Them kemi bërë, sepse secili nga ne ka një pjesë të fajit, duke nisur nga ata që kanë dhënë lejet abuzive, duke vazhduar me ata që ndërtuan ku të mundnin, duke u pasuar nga ata që nuk respektuan rregullat dhe kriteret bazë teknike në ndërtim, duke u ndalur tek ata që me injorancën e tyre dhe dëshirën për të kursyer për çatinë që do kishin mbi kokë desh e paguan me jetën e tyre dhe për të përfunduar tek ne të tjerët, që e patëm para syve tërë këtë katrahurë dhe nuk ngritëm zërin, nuk protestuam.

Tërmeti i 26 nëntorit prishi dhe një pjesë të murit rrethues 2500 vjeçar. Auron Tare, mbrëmjen e së premtes, pohoi në një studio televizive se rrëzimi i murit që i rezistoi mijëvjeçarëve mund të ketë ardhur për shkak të ndërhyrjeve të bëra në të vitet e fundit. E pra, atë që natyra e ruajti dhe na e solli deri në ditët tona na e prishën. Ashtu si na prishën qytetin për të na “dhuruar” këtë Durrës modern, me të cilin shumëkush prej nesh nuk identifikohet.

U desh rrëzimi i një hoteli nga tërmeti, që të mund të shihnim detin nga rruga “Pavarësia”… Mund të duket e çuditshme, por na mohuan pamjen e detit përgjatë gjithë vijës së plazhit. Në këmbim na dhuruan panoramën e qindra monstrave prej betoni 5, 6, 7 apo 8 katësh. E gjithë kjo nuk ndodhi brenda natës, nuk ndodhi as kur ishim në një qytet tjetër. E gjitha ndodhi ditë pas dite, për vite me rradhë e para syve tanë.

Prandaj këtë mundësi të dytë që na u dha për të jetuar ta përdorim fort edhe për të ngritur zërin para padrejtësive, për të denoncuar të gjitha abuzimet, për të kërkuar ndëshkimin e fajtorëve për masakrën urbane që e vuan një qytet i tërë.

Na futën në disa pallate rrezik-vdekje, na ndërtuan 4 herë një rrugë ku bllokohesh në trafik e që prishet 1 viti pasi shtrohet, na lanë pa parkime, pa gjelbërim, na mbytën në beton.

Ka ardhur koha për të thënë të gjithë së bashku: MJAFT MË! 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: