Këto dy taksa diskriminuese për transportuesit shqiptarë që zbatohen nga pala italiane mund të hiqen vetëm me angazhim maksimal të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve Publike e Transportit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Zbatimi i këtyre taksave ka bërë që kushtet e konkurencës midis transportuesve tanë dhe atyre të vendeve të rajonit të mos jenë të njëjta

Ilir Mataj, kreu i shoqatës së Transportuesve “AnalTir” deklaroi për “Dyrrah” se taksa e peshës që paguajnë kamionat shqiptarë në Itali mbështetet në akte zyrtare të viteve 1953, 1984, 1985, 1988, pra në taksa që zbatoheshin në kohën e ekzistencës së Murit të Berlinit. Sipas Matajt aplikimi i një takse të tillë i penalizon shumë transportuesit shqiptar duke mos krijuar konkurencë të barabartë mes tyre dhe kolegëve nga vendet e rajonit. Mataj kërkon angazhimin e të gjitha instancave shtetërore për të mundësuar heqjen e kësaj takse që vendi ynë e paguan së bashku me Irakun, Sirinë dhe Libanin. Nga ana tjetër një problem që shqetëson kompanitë transportuese shqiptare është kufizimi i lejeve të kalimit nga ana e shtetit fqinjë, Itali.

Zoti Mataj, transporti me kamiona është një prej sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Cilat janë problemet me të cilat përballet ky shërbim?

Transporti rrugor është motori kryesor jo vetëm i rritjes ekonomike, por dhe mënyra që ndërlidh të gjitha bizneset brenda e jashtë vendit. Mbi këtë bazë transporti rrugor është zhvilluar me ritme të shpejta dhe kontributi i tij është gjithmonë i vlerësuar. Parku i kamionave aktualisht përballon me sukses kërkesat për lëvizjen e mallrave. Pozitivisht në këtë zhvillim të transportit kanë ndikuar investimet shumë të rëndësishme të bëra për zhvillimin e përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit rrugor, në portet detare, etj. Po kështu janë vlerësuar dhe masat e marra për lehtësitë e krijuara në pikat e kalimit kufitar, në proçedurat doganore, etj. Heqja e vizave për shoferët profesionistë me vendet e Komunitetit Europian është një tjetër lehtësi e krijuar në këtë sektor. Shoqata “AnalTir” është shoqata më e madhe që përfaqëson transportin ndërkombëtar të mallrave në Shqipëri.

Nga të dhënat që keni, sa shoqëri transporti operojnë në vend dhe sa në Durrës? A e kanë ngritur ato këtë shqetësim dhe a po mendohet për ndonjë zgjidhje?

Në organizatën tonë janë anëtarësuar rreth 800 subjekte me rreth 2500 kamionë. Mbi 200 subjekte janë të liçensuara për transport për të tretë e me qera dhe kanë në inventarin e tyre jo më pak se 3 kamiona. Shumë kompani po investojnë për të përmirësuar inventarin e kamionave. Rreth 70 përqind e kamionave operojnë në Tiranë e Durrës. Shoqata “AnalTir” është anëtare me të drejta të plota në IRU-Gjenevë, Zvicër (Bashkimi i Transportuesve Ndërkombëtarë Rrugorë) dhe në BSEC-URTA- Stamboll, Turqi (Bashkimi i Transportuesve Ndërkombëtarë të Rajonit të Detit të Zi). Por transporti ndërkombëtar i mallrave vazhdon të ndeshet me pengesa të vazhdueshme. Në rajonin tonë e më gjerë funksionojnë marrëveshje të tregtisë së lirë dhe padyshim kjo është një arritje e madhe.

Një prej problemeve të mbartura në vite janë taksat që shteti italian ka vendosur ndaj kamionistëve shqiptarë njësoj si për vendet e botës së tretë.Çfarë takse është kjo? Pse aplikohet vetëm me kamionistët e vendit tonë?

Tingëllon si paradoks që transporti me shumë shtete vazhdon të jetë i kufizuar nga kuotat e lejeve bilaterale ose multilaterale. Tipik është problemi me Italinë, ku asnjë vit nuk plotësohen nevojat e transportuesve për leje kalimi. Si rrjedhojë, kanë mbetur pa punë shumë aktivitete të përbashkëta me investitorë italianë, ku janë punësuar shumë qytetarë shqiptarë. Shumë investime vazhdojnë të kryhen edhe për projektin e korridorit të tetë. Por ç’kuptim kanë ato kur nuk lejohen kamionat shqiptarë të shkojnë në  Itali? Niveli i shkëmbimeve tregtare me Italinë nuk mund të përballohet me kontigjentin aktual të lejeve të kalimit për kamiona. Në periudhën 2001-2011 lëvizja e kamionave shqiptare për në Itali është dyfishuar dhe tendenca është gjithmonë në rritje.Kontigjenti i lejeve të kalimit me Italinë çdo vit ka ardhur duke u pakësuar. Si rrjedhojë, transportuesit shqiptarë kanë mbetur pa punë për periudha një deri në tre muaj. Shumë transportues që kanë në përdorim  kamiona të standarteve Euro 3, Euro 4, etj sigurisht që nuk mbeten pa punë, sepse ato mund të punojnë  me leje njëvjeçare ose njëmujore CEMT. Por, megjithë përmirësimin e inventarit te mjeteve, aktualisht janë në përdorim me Italinë edhe 500-600  kamiona që janë prodhuar para viteve 2001-2002. Ky kontigjent edhe për këtë vit do të mbetet pa punë për muajt Nëntor-Dhjetor, sepse kontigjenti i miratuar për këtë kategori është 7000 copë nga 8000 copë që ishte vitin e kaluar.

Gjatë muajit të fundit nga të dhënat zyrtare që kemi nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit rrugor në Durrës bëhet me dije se tre kompani transporti kanë çrregjistruar kamionat dhe kokat e trajlerave dhe i kanë regjistruar në Maqedoni, Bullgari, etj,  për të shmangur taksat që vë shteti Italian mbi peshën e kamionave….

Në këtë drejtim theksojmë se ndaj mjeteve shqiptare këto taksa mbështeten në akte zyrtare të viteve 1953, 1984, 1985, 1988, pra taksa që zbatoheshin në kohën e ekzistencës së Murit të Berlinit. Çdo shofer shqiptar në Itali paguan dy lloje taksash në nivelin maksimal të tyre, konkretisht: taksën e qarkullimit dhe taksën e peshës. Taksa e qarkullimit për 120 ditë, (rreth 150-180 euro) për kamionat e mëdhenj dhe 70-80 euro për kamionat deri në 8 ton), pavarësisht se qëndrimi mesatar i mjeteve nuk i kalon 10 ditë. Taksa e peshës është e diferencuar sipas distancës që përshkon kamioni me ngarkesë në territorin italian (9.3 euro) për çdo ton ngarkesë në distancat mbi 100 km dhe 6 euro për çdo ton ngarkesë në distancat deri në 100 km). Sipas të dhënave del se këto taksa i paguajnë në Itali vetëm Shqipëria, Iraku, Libani dhe Siria. Të gjitha shtetet e Europës ose janë të përjashtuara nga këto taksa ose i paguajnë në nivele minimale. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia nuk paguajnë taksë qarkullimi dhe taksën e peshës e paguajnë më pak se 2 euro për ton.

Në marrëveshjet që keni bërë me Ministrinë e Transporteve pse nuk është marrë parasysh edhe kjo kërkesë? A ka ardhur koha që shteti italian ta shikojë si partner biznesi Shqipërinë edhe në këtë fushë?

Mendojmë se kjo situatë është e kundërt me qëndrimin e përgjithshëm të shtetit dhe të qeverisë italiane për mbështetjen dhe ndihmën ndaj Shqipërisë. Duke parë se nga pala italiane mungonte dëshira për të hequr ose pakësuar këto taksa, nga 1 Janari 2004, taksat për kamionët italianë që vijnë në Shqipëri zbatohen mbi bazën e parimit te reciprocitetit. Ky veprim jo vetëm që nuk zgjidhi shqetësimin e transportuesve shqiptarë, por ai frenoi ardhjen e transportuesve italianë, pra u rrit më shumë kërkesa për shtesë kontigjenti për lejë bilaterale për kamionët shqiptarë. Heqja e taksave për kamionët shqiptarë është trajtuar në të gjitha takimet e komisioneve të përbashkëta të transportit të zhvilluara në Tiranë ose Romë. Nga pala italiane ky problem vetëm është  mbajtur shënim dhe nuk është kthyer asnjë përgjigje zyrtare. Këto dy taksa diskriminuese për transportuesit shqiptarë që zbatohen nga pala italiane mund të hiqen vetëm me angazhim maksimal të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punëve Publike e Transportit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Këto shqetësime u janë bërë prezent çdo vit drejtuesve të Ministrisë së Transportit, atyre në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Financave e madje çështja është ngritur edhe në komisionet parlamentare. Zbatimi i këtyre taksave ka bërë që kushtet e konkurencës midis transportuesve tanë dhe atyre të vendeve të rajonit të mos jenë të njëjta. Për të njëjtën ngarkesë transportuesit shqiptarë paguajnë 250-300 euro më shumë se transportuesit nga Maqedonia, Mali i Zi, etj. Kjo situatë e pafavorshme ka detyruar shumë transportues në Durrës, Tiranë, etj. që të përdorin me qera ose të blejnë trajlera me targa të shteteve të tjera. Kjo gjë e përkeqëson më shumë pozicionin e transportuesve të tjerë, sepse aktualisht ato po ndjejnë konkurencën jo korrekte të kolegëve. Vitet e fundit, shqetësim i madh për transportuesit tanë është abuzimi që kryhet nga kamionat e Maqedonisë dhe Malit të Zi  me transportet për e nga vende të treta. Këta transportues, në shumë raste, ngarkojnë për në vendin tonë pa qenë të pajisur me leje CEMT ose lejen e posaçme për e nga vende të treta. Si rrjedhojë, padrejtësisht ata marrin ngarkesa që duhet të kryhen nga transportues shqiptarë. Shqetësimet që kanë transportuesit si me Italinë ashtu dhe me Maqedoninë e Malin e Zi mund të zgjidhen duke forcuar kontrollin për këto mjete nga organet përkatëse shtetërore.