Prej mëse 6 muajsh, Gjykata e Faktit në Durrës nuk ka mundur të japë vendimin për dy mjekët, të cilët po mbahen në burg me akuzën e vonesës në mjekim të 25 vjeçarit, Juxhin Guza. Pala mbrojtëse, në seancën e radhës, ka sjellë ekspertizë të re nga mjekët e QSUT, të cilët i shfajësojnë mjekët Dalip Çela e Nuri Qyra nga akuzat e Prokurorisë.

Juxhin Guza humbi jetën 24 orë, pasi kishte mbërritur në spital, i plagosur me thikë nga persona ende të paidentifikuarGjykata e Durrësit pranoi të administrojë si provë një akt ekspertize të tre mjekëve të QSUT-së, që shfajëson dy mjekët e spitalit të Durrësit, të akuzuar për vonesa në mjekimin e volejbollistit Juxhin Guza, vonesa që sipas akuzës sollën edhe vdekjen e tij. Prokuroria ka kundërshtuar pranimin e kësaj ekspertize të sjellë nga mbrojtja, ndërsa ka deklaruar se për të vlen shqyrtimi i bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas të cilit mjekët Nuri Qyra dhe Dalip Çela janë fajtorë për mjekim të pakujdesshëm ndaj të plagosurit. Akti i ekspertizës, i sjellë në sallën e gjykimit ditën e enjte, është kryer nga tre mjekë pranë QSUT-së në Tiranë, ndërsa është kërkuar nga organi i mbrojtjes dhe është pranuar nga gjyqtarja Arjana Liço dhe është administruar si provë.

Akti i dytë i ekspertimit, i paraqitur dje, kundërshton rezultatet e aktit të parë duke dalë me versionin që nuk ka patur vonesa në veprimin e mjekëve dhe ata nuk kanë shkaktuar vdekjen e të riut. Ndërkohë sipas ekspertizës mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila është paraqitur si provë nga prokuroria, mjekët rezultojnë fajtorë. “Nga ana e mjekut reanimator rasti është neglizhuar, pasi nuk janë vlerësuar parametrat hemodinamikë dhe bioklinikë në vazhdimësi, por ky vlerësim është bërë vetëm pas rëndimit të thellë të gjendjes shëndetësore të të ndjerit”,- thuhet në ekspertizën e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Juxhin Guza humbi jetën në spital, ku shkoi i plagosur nga katër goditje me thika në kofshën e djathtë, ngjarje e ndodhur më 13 shtator të 2011. Guza u sulmua rreth orës 01:30 të 13 shtatorit, pranë hyrjes së pallatit në të cilin banonte nga një person që dyshohet se donte ta grabiste. Ai u dërgua menjëherë në spital ku gjeti vdekjen për shkak të plagës së marrë. Ndërkohë akuza fajëson dy mjekë të spitalit për vonesa në mjekim, të cilat shkaktuan rreth 24 orë pas plagosjes vdekjen e Guzës. Seanca e radhës ndaj dy mjekëve u shty për t’u zhvilluar në datë 5 korrik, ndërsa mjekët e akuzuar, Dalip Çela dhe Nuri Qyra vijojnë të mbeten në burg.