Ditën e nesërme pritet të kthehen në vend rreth 2100 tonë mbetje të rrezikshme përmes portit të Durrësit.
Ndërkohë, Partia Demokratike Dega Durrës ka paralajmëruar një protestë që do të zhvillohet në orën 11:00, në hyrjen e portit tek Ura e Dajlanit.
Sipas kësaj force politike, rikthimi i këtyre mbetjeve toksike në portin e Durrësit, rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Njoftimi i PD Durrës:
Rreth 2100 ton mbetje të rrezikshme pritet të kthehen në Shqipëri përmes portit të Durrësit.
Këto mbetje rrezikojnë shëndetin e të gjithë popullatës shqiptare, duke u bërë shkak për sëmundje si kancer, dëmtime të sistemit nervor dhe sëmundje të rënda neurologjike, sëmundje respiratore shpesh kronike, apo dhe duke rrezikuar fertilitetin dhe shëndetin e grave shtatëzëna e të fëmijëve.
Fëmijët dhe brezat e ardhshëm janë drejtpërdrejtë të kërcënuar pasi mbetjet do të cënojnë mirërritjen dhe zhvillimin e tyre.
Ajri që thithim, uji që pijmë dhe ushqimi që konsumojmë, do të ndoten duke prekur shëndetin publik.
Ndaj ju ftojmë që të gjithë të dalim në një protestë qytetare për të mbrojtur shëndetin tonë dhe të detyrojmë qeverinë të japi llogari përpara qytetarëve dhe të sigurojë transparencë për masat që po mer mbi trajtimin e këtyre mbetjeve toksike.
Nesër 27 Tetor, Ora 11:00, Hyrja e Portit te Ura Dajlanit.