Reshjet e dendura nga stuhia Elias kanë goditur pjesë të Evias veriore, ishullit të dytë më të madh të Greqisë që ndodhet në lindje të Athinës. Mbi 40 shtëpi, bodrume hotelesh, biznese, si dhe makina janë përmbytur ndërsa disa përrenj dhe lumenj në Evian veriore po mbahen nën monitorim pasi janë në pikën kritike. Ekipet e shpëtimit po punojnë në mënyrë aktive për të evakuuar njerëzit që janë bllokuar në këto zona të përmbytura.

Autoritetet në Evia e kanë cilësuar situatën si të rrezikshme dhe u kërkuan banorëve të kufizojnë udhëtimet. Shumë pemë janë rrëzuar për shkak të erërave të fuqishme. Stuhia Elias ka prekur edhe Halkidën ku në disa zona uji ka arritur deri në 1 metër duke përmbytur shtëpi dhe çdo gjë përreth.

Sipas mediave vendase, rruga nga jugu në veri të Evias është dëmtuar rëndë për shkak të rrëshqitjes së dheut në fshatin Derveni. Ekipet e kërkim shpëtimit si dhe Mbrojtja Civile është vendosur në dispozicion për të shmangur një tjetër tragjedi.

Sinoptikanët thonë se nuk ka rrezik që kjo stuhi të prekë Shqipërinë.