Mbreti Abdullah II i Jordanisë zhvilloi një telefonatë të dielën me presidentin amerikan Joe Biden, njoftoi Oborri Mbretëror Hashemit.

Në fokus kanë qenë zhvillimet e fundit në rajon dhe përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të arritur një armëpushim në Gaza, thuhet në deklaratën e Oborrit Mbretëror.

Abdullah ka theksuar “nevojën për të ndaluar menjëherë përshkallëzimin në rajon, duke paralajmëruar se çdo masë përshkallëzuese izraelite do të zgjerojë konfliktin në rajon”.

Mbreti i Jordanisë ka thënë se përfundimi i luftës në Gaza është mënyra për të parandaluar një përhapje rajonale.

“Jordania nuk do të lejojë që një luftë rajonale të zhvillohet në tokën e saj, duke paralajmëruar për pasojat e agresionit izraelit në Gaza dhe masat e njëanshme në Bregun Perëndimor”, thuhet në deklaratë.

Abdullah ka bërë thirrje për mbrojtjen e civilëve në Gaza dhe sigurimin e kalimit të qëndrueshëm të ndihmave të mjaftueshme humanitare me të gjitha mjetet në dispozicion.

Oborri Mbretëror jordanez shtoi se diskutimet gjatë bisedës telefonike kanë përfshirë gjithashtu nevojën për të ruajtur koordinimin midis Jordanisë dhe SHBA-së për zhvillimet rajonale.