Teuta po vijon përgatitjet anti-Korab. Stafi teknik ka zhvilluar një seancë me shumë ngarkesa, ndërsa ka kërkuar prej të tijve impenjim maksimal. Një nga zbulimet e trajnerit Maganit është dhe Fabio Beqja. Lojtari i krahut të djathtë, i cili ka zhvilluar 6 ndeshje si titullar, po kalon pritshmëritë me performancën e tij. Ai flet për ndeshjen e radhës, por edhe mbijetesën.

“Jam rikthyer si titullar pas shumë kohësh, por në një pozicion tjetër, atë të mbrojtësit të djathtë. Unë kam luajtur si mesfushor krahu, por trajneri më provoi si mbrojtës dhe më aktivizoi në 6 ndeshje. Të them të drejtën, falë besimit të Maganit kam luajtur, pasi unë në fillim kam hezituar pak”, u shpreh fillimisht ai.Më tej, Beqja u ndal te takimi i së shtunës, ndërsa tha: “Korabi është një kundërshtar që meriton respekt, pavarësisht pozicionit ku ndodhet në klasifikim. Ne po përgatitemi fort dhe me qëllimin e vetëm për ta fituar ndeshjen. Skuadra po rritet ndeshje pas ndeshje dhe kjo është një meritë e stafit teknik, por sigurisht edhe e futbollistëve dhe afrimeve të janarit. Jemi një grup solid dhe besoj se kemi për ta mbyllur në mënyrën më të mirë kampionatin”.Pozitat e Teutës në renditje janë disi më komode, edhe pse llogaritë me mbijetesën nuk janë mbyllur ende, në Durrës nuk e diskutojnë rënien. “Fitorja me Flamurtarin na dha qetësi, megjithatë ne nuk jemi në presion, pasi po luajmë mirë dhe kur ke rezultate, sigurisht që shpresa për mbijetesë rritem ndjeshëm. Ne me këtë ritëm do vijojmë, për të siguruar njëherë e mirë qëndrimin. Nuk besoj se do ta diskutojmë mbijetesën”, u shpreh mesfushori i përshtatur si mbrojtës.