Një grevë e përgjithshme do të paralizojë të premten aeroportet gjermane, përfshirë atë të Frankfurtit, më i madhi në vend.
Sindikata njoftoi se nga aksioni që synon rritjen e pagave të punonjësve në shërbimet publike në nivel të shtetit, qyteteve dhe bashkive do të preken aeroportet e Frankfurtit, Mynihut, Hamburgut, Shtutgartit, Dortmundit, Hannoverit e Bremenit.
Kjo situatë ka shtyrë shërbimin Fraport, i cili menaxhon aeroportin kryesor të Gjermanisë, t’i këshillojë udhëtarët të mos shkojnë atje në 17 shkurt.
“Për shkak të grevës janë pezulluar të gjitha detyrat që mundësojnë qarkullimin ajror të qetë”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Gjithsej 1.005 ngritje dhe ulje me 137.000 pasagjerë ishin planifikuar vetëm për të premten në Frankfurt. Kjo është pikërisht dita kur nis dhe Konferenca e Sigurisë në Mynih, e cila mbledh krerë shtetesh e qeverish, ekspertë dhe lobistë nga e gjithë bota.