Më datë 1 mars do të hyjë në fuqi rregullorja që mundëson transferimin e llogarive të pagesave mes institucioneve financiare në vend.
Rregullorja “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave” u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në fund të vitit të kaluar dhe detyron ofruesit e shërbimeve të pagesave të mundësojnë shërbimin e transferimit midis llogarive të pagesave të mbajtura në të njëjtën monedhë, për të gjithë klientët e sektorit financiar në Shqipëri.
Rregullorja pritet të nxisë më shumë konkurrencën mes institucioneve të pagesave (banka dhe jobanka) dhe të lehtësojë zgjedhjet e konsumatorëve.
Transferimi i llogarisë do të kryhet nga subjekti marrës i shërbimit të pagesës, pas marrjes së autorizimit nga konsumatori. Në rastin kur llogaria zotërohet nga dy ose më shumë persona, autorizimi duhet të merret nga secili prej tyre.
Subjekti marrës i shërbimit të pagesës, brenda dy ditëve të punës nga marrja e autorizimit të konsumatorit do t’i kërkojë ofruesit transferues të shërbimit të pagesës të dërgojë një listë të urdhër – pagesave periodike për transferta krediti dhe informacionin e disponueshëm për mandatet e debitimit direkt që janë transferuar.
Subjekti transferues duhet të ndalojë pranimin e debitimeve direkte dhe transfertave të kreditit në mbërritje, me efekt nga data e specifikuar në autorizimin e nënshkruar nga konsumator.
Gjithashtu, ofruesi transferues i shërbimit të pagesave duhet të anulojë urdhër-pagesat periodike, me efekt nga data e specifikuar në autorizim, të transferojë çdo balancë kreditore të mbetur drejt llogarisë së pagesës që konsumatori ka me ofruesin marrës të shërbimit të pagesës dhe të mbyllë llogarinë e pagesës në datën e specifikuar nga konsumatori.
Ofruesi transferues ose dhënës i shërbimit të pagesës ka afat pesë ditë pune për të kryer të gjitha procedurat e mësipërme.
Rregullorja parashikon gjithashtu që të gjitha tarifat që i ngarkohen konsumatorit në këtë proces, qoftë nga subjekti marrës apo transferues, duhet të jenë të arsyeshme dhe të orientuara drejt kostove. Tarifat dhe të gjitha kushtet e tjera të lidhura me shërbimin e transferimit të llogarive të pagesës duhet të jenë të publikuara dhe të disponueshme në çdo kohë nga të gjitha subjektet e licencuara për shërbime të pagesave.
Kjo rregullore synon gjithashtu të lehtësojë krahasimin mes tarifave të shërbimeve të pagesave mes institucioneve të ndryshme financiare dhe njëkohësisht të mundësojë transferimin e llogarive mes institucioneve të ndryshme të pagesave.
Banka e Shqipërisë do të hartojë dhe do të publikojë një listë me të paktën 10 dhe jo më shumë se 20 shërbimet më përfaqësuese të lidhura me një llogari pagese, të cilat janë subjekt i një tarife.
Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë shërbimet që përdoren më shpesh nga konsumatorët në lidhje me llogarinë e tyre të pagesës dhe gjenerojnë kostot më të larta për ta. Ofruesit e shërbimeve të pagesave do të raportojnë pranë Bankës së Shqipërisë raporte tremujore mbi tarifat e aplikuara për shërbimet e përfshira në listë.
Në rast të ndonjë ndryshimi të tarifave ose hedhjes në treg të produkteve të reja përpara tremujorit raportues në vijim, ofruesit e shërbimit të pagesave duhet të raportojnë menjëherë në Bankën e Shqipërisë tarifat e reja.
Gjithashtu, ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet t’i vendosin në dispozicion konsumatorit përpara lidhjes së kontratës për një llogari pagese, një dokument që përmban informacion mbi tarifat përkatëse dhe që përfshin termat e standardizuara në listën e shërbimeve më përfaqësuese të hartuar nga Banka e Shqipërisë. Ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet të dokumentojnë nënshkrimin e dokumentit nga konsumatori dhe datën e nënshkrimit të tij.
Gjithashtu, ofruesit e shërbimeve të pagesave duhet ti paraqesin konsumatorit, të paktën çdo vit dhe pa pagesë, një pasqyrë mbi të gjitha tarifat e aplikuara, në format të ngjashëm me një faturë analitike.
Pasqyra mbi tarifat e aplikuara duhet të përmbajë tarifën për njësi, të aplikuar për secilin shërbim dhe numrin e rasteve që shërbimi është përdorur gjatë periudhës përkatëse; shumën totale të tarifave të aplikuara gjatë periudhës përkatëse për secilin shërbim, secilën paketë të shërbimeve të ofruara dhe shërbimet që tejkalojnë sasinë e mbuluar nga tarifat e paketës; normën e interesit të kredisë kufi (overdraftit) të aplikuar për llogarinë e pagesës dhe shumën totale të interesit të aplikuar në lidhje me overdraftin; normën e interesit kreditor të aplikuar për llogarinë e pagesës dhe shumën totale të interesit të fituar gjatë periudhës; shumën totale të tarifave të aplikuara për të gjitha shërbimet e ofruara gjatë periudhës./Monitor