Nesër më 12 mars është afati i fundit për listat e deputetëve për zgjedhjet parlamentare. Pritet që secila parti të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të kandidatëve në 12 qarqe të vendit.

Pritet të shohim se sa prej figurave të PD-së që kanë marrë shumicë votash nga procesi i Primareve do të jenë zyrtarisht në garë elektorale, patjetër në raport me preferencat që kanë dhe partitë e tjera aleate. Kjo pasi Partia Demokratike do të shkojë në zgjedhjet e majit në koalicion me 25 parti të tjera. Koalicioni që mban emrin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” u prezantua zyrtarisht dje, ku mbajti fjalën edhe kryedemokrati Sali Berisha.

Pjesë e Primareve u bë thuajse i gjithë grupi parlamentar i PD-së, me përjashtim të 5 deputetëve. Por pavarësisht votës së Anëtarësisë, vendimin final e merr Kryesia e kësaj force politike.

Në krahun tjetër, kryesocialisti Edi Rama zhvilloi takimet traditë me ministra e drejtues politikë për 3 ditë me radhë. Fokusi ishte te përgatitja për zgjedhjet e 11 majit, çështja e integrimit në BE dhe veçanërisht te hartimi i listës së plotë të deputetëve.