Marrëveshja Shqipëri-Greqi-Itali për gazsjellësin TAP do të nënshkruhet në 13 shkurt në Athinë. Lajmi bëhet i ditur nga ministria e Jashtme greke, pas takimit që ministri i Jashtëm grek Avramopulos zhvilloi sot në Mynih me Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Elmar Mammantiarof. 

Në Athinë më 13 shkurt do të kryhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërqeveritare ndërmjet Greqisë-Italisë-Shqipërisë për ndërtimin e tubacionit Transadriatic (TAP), dhe në ceremoninë e nënshkrimit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Qeverisë së Azerbajxhanit. 

Sipas burimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme greke të cilave iu referohen mediat greke, mbrëmë zoti Avramopulos ka pasur biseda telefonike me homologun e tij italian, Giulio Tertsa dhe atë të Shqipërisë Edmond Panariti për të zgjidhur detajet, ndërkohë që diskutimet të vazhdojnë në mes të tre vendeve për tekstin e Marrëveshjes. 

Ministri i Jashtëm grek Avramopulos ndodhet në Mynih, ku merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë. 

Gazsjellësi TAP

Qëllimi i TAP është që të shfrytëzojë fushat e mëdha të gazit të Shah Deniz II në Kaspik. Shah Deniz është çelësi i strategjisë së Bashkimit Evropian për rritjen e sigurisë së vet energjetike duke lehtësuar varësinë nga importet ruse, sepse në rreth 6 vjet pritet të sigurojë gaz nga Kaspiku në Evropë, duke bërë realitet shpresat për një korridor gazi në një prej rajoneve më të pasura të burimeve në botë. Shah Deniz II pritet të shtojë afërsisht 16 miliardë metra kub të prodhimit vjetor, 10 miliardë metra kub prej të cilave, do të jenë të gatshme për eksport në BE.