Këtë të Martë, në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca paraprake për dosjen “5D”. Kjo e fundit ka të bëjë me dy ish-drejtorë të bashkisë Tiranë, Redi Molla dhe Mariglen Qato, që kishin krijuar një kompani me identitet të rremë duke përfituar disa procedura tenderimi.
Burimet bëjnë të ditur se më 14 Shkurt në orën 12:00 do të shpallet vendimi për çështjen “5D”, nëse kalon për gjykim, kthehet në Prokurorinë e Posaçme për hetime të mëtejshme apo do të pranohet kërkesa për pushim të akuzave.
Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato kanë kërkuar të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Të njëjtë kërkesë kanë patur edhe Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muhametllari.
Kujtojmë se për këtë çështje, më 8 Janar të këtij viti, u dërguan në gjyq 9 ish-zyrtarë pasi SPAK i akuzon se kanë favorizuar kompaninën “5D Konstruksion” në dy tendera në vitin 2019 dhe 2020.