Biznesmeni Lirim Fejzollari ka dëshmuar sot në GJKKO për dosjen “Buka”, ku i pandehur është ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj. Gjatë dëshmisë, Fejzollari ka deklaruar, se për privatizimin e “Buka sha”, janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme. Ai shpehet se aksionet i ka marrë nga disa qytetarë dhe shoqëri duke arritur deri në 40 përqind të pjesës private.
“Unë kam qenë aksioner dhe më parë, kur ishte edhe 52 % shtet edhe 48 % privat dhe u futa dhe në ankand. Unë kam marrë aksione nga disa qytetarë dhe shoqëri dhe kam arritur deri tek 40% e pjesës private. Aksionet i kam blerë nga individë dhe kompani, që i kishin këto aksione,” ka deklaruar ai.
Sa i përket, Ahmetajt, Fejzollari thotë se e ka takuar gjatë kohës kur ishte ministër. Ai tha ndër të tjera, se kishin probleme me çështjen e pullave fiskale. Biznesmeni është pytur edhe për një sms të dërguar në telefonin e tij nga ish ministri Ahmetaj, ku i thoshte se duhet ta telefononte.
Fejzollari: Shtetasin Arben Ahmetaj e njoh si person publik. Në mënyrë zyrtare jam takuar me të në 2018-2019. Ishte ministër. Ne kishim probleme me industrinë, për çështjen e pullave fiskale. Jam vënë në dijeni shumë më vonë me një vendim të Gjykatës Administratives për pezullim të procedurave të ankandit.
Në lidhje me “Buka sha” jam takuar me familjen Myderizi. Nuk i njihja. Në takim më thanë disa pretendime, që as nuk i kuptova. Ndërsa familjen Piciri i kam takuar disa herë. Kam biseduar shumë qetë me ta. Unë nuk i kuptoj këto kthimet e pronave. Ju kam thënë, keni gjykatat, kërkojini tek institucionet shtetërore.
Prokurori: si e shpjegoni një sms në telefonin tuaj: “Më telefono pak. Arben Ahmetaj jam”?
Fezollari: Duhet të ketë qenë në fazën e pullave fiskale, diskutimet që bënim.
Prokurori: Në 23.02.2020 i thoni Ahmetajt me sms “Përshëndetje Arben! Si i ke mundësitë për t’u takuar këtë javë”.
Fezollari: Siç e thashë, kishim problemet me pullat. Por ky takim nuk i realizua.





