Mund të duket si diçka nga filmi i ri i James Bond, por “Earth 300” është një super-jaht me ‘energji nukleare’ me ambicie të guximshme.

Sipas EuroNews, edhe pse nuk është ndërtuar ende, ky jaht pa karbon është projektuar si një laborator udhëtues për shkencëtarët për të eksploruar oqeanet dhe për të trajtuar problemet më të mëdha mjedisore të sotme.

Me hapësirë për 22 laboratorë, 160 shkencëtarë dhe 22 studentë, jahti do të furnizohet nga një “Reaktor i Kripës së Shkrirë”– një lloj i ri i ‘energjisë nukleare’ që është 100 për qind pa emetime.

Ka edhe vend për turistë, por me një çmim.

Projektuar nga eksperti i super-jahteve, Ivan Salas Jefferson, “Earth 300” do të ketë gjithashtu vend për 40 te ftuar VIP të cilët do të paguajnë 3 milionë dollarë për kënaqësinë e qëndrimit në anije. Shkencëtarët dhe studentët ose do të udhëtojnë falas ose me një tarifë të reduktuar.

“Ne duam të ndërtojmë një ikonë globale për shkencën, e krijuar si një skulpturë shkencore në dete, për të tërhequr vëmendjen e njerëzve dhe për të frymëzuar imagjinatën e tyre”, thotë Aaron Olivera, shefi i “Earth 300”. Kompania shpreson që super jahti të jetë gati për lundrim në vitin 2025, shkruan EuroNews, transmeton Telegrafi.

‘Lindja’ e super jahtit

Kërkesa për super-jahte është rritur në 10 vjetët e fundit, e nxitur nga pandemia e COVID-19 dhe rritja e ‘super të pasurve’ globalë. “Earth 300” do të jetë 300 metra në gjatësi dhe 60 metra në lartësi. Ky është 31 metra më i gjatë se Titaniku.

Me një dizajn arkitektonik futuristik, jahti do të përfshijë laboratorë të teknologjisë më të fundit të vizualizimit të motit, laboratorë të printimit 3D dhe laboratorë të biosigurisë të krijuar për të trajtuar viruse si COVID-19, sipas Oliveria, raporton EuroNews, përcjell Telegrafi.

“Do të bartë 4 komunitete të ndryshme – shkencëtarë, ekspertë, studentë dhe qytetarë privatë”. “Është kjo përzierje e qytetarëve dhe shkencëtarëve që ekipi shpreson të prodhojë një mendim të ri radikal në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

A është teknologjia gati?

Derisa dizajni i “Earth 300” është një model futuristik, shumica e teknologjisë së kërkuar nuk ka dalë ende në treg. Fillimisht, jahti do të mundësohet nga lëndë djegëse jeshile, pasi “Reaktori i Kripës së Shkrirë” është ende në zhvillim. Reaktori është duke u zhvilluar nga Terrapower, një kompani e mbështetur nga miliarderi i Microsoft, Bill Gates.

Pasi të jetë gati, reaktori do të vendoset, duke lejuar që super-jahti të jetë 100 për qind pa emetime.