Nga Pol Milo

Në trilogjinë poetike moikomiane “Meduza”, “Meduza e dashuruar mban syze dielli” dhe “Syzet e thyera të Meduzës”, të cilat sipas autorit lidhen njëkohësisht jo vetëm me Meduzën por edhe  me syzet e diellit, për sa kohë Meduza kthen çdo gjë në statuja të ngurta, shkatërron gjithçka, prish dhe transformon. Për të ndaluar shkëlqimin atomik të bebëzave të syve të saj, ajo detyrohet të mbajë syze të errëta me xhama.

Syzet e thyera të Meduzës janë një gjendje shpirtërore, ku në dyzimin mes shkencës dhe artit ndodh një lëvizje e pandalshme, shkenca gllabëron artin. Por, arti dinak, rilind më i zgjuar dhe madhështor, ku i gëlltituri vjen më i madh se gëlltitësi. Ky është një proces transformizmi i poetikës artistike ku i gëlltituri artistik rilind nga pasioni. Dhe rilindjet, në këtë rast, si proces universal i transformizmit, janë syzet që shohin përtej syve.

Syzet e meduzës që e shoqëruan në procesin transformizmit, ku autori u fut brenda poezisë njësoj si njeriu që u përpi nga televizori dhe filloi të dilte nëpër transmetime televizive dhe të modifikonte lajmet dhe filmat, ndryshonte ngjarjet historike, për një moment e futi njerëzimin në kaos. Por gaboi diçka, nuk mori parasysh që vetë njerëzimi ishte në kaos, një kaos i ri i një epoke transformiste. Kështu që ndodhi kaosi brenda kaosit, edhe pse askush nuk e merr vesh. Syzet e thyera të meduzës sundojnë vizionin e realitetit pa kohë.

Duket sikur ka ardhur një kohë që po identifikohet pa kritikë, sikur realiteti ka zhdukur kritikën, e ka hijëzuar apo lënë mënjanë. Kjo nuk është tamam kështu. Ekzistojnë dy të vërteta të papërputhshme, pa kompromise, e vërteta e artit dhe e vërteta e shkencës. Nëse e vërteta shkencore është e shprehur me ekuacionet e saktësisë, pa ndjenja dhe dyshime, simetrike dhe algjebrike, e vërteta tek arti është plot përfytyrime asimetrike, të ndryshuara, të transformuara. Arti është asimetrik. Transformimi është harmonia që shëndron asimetrinë në simetri, pa korruptuar, por edhe duke dakordësuar njëfarë procesi që quhet kritikë. Kritika duket sikur lidh dhe zgjidh njëkohësisht këtë marrëveshje-mosmarrëveshje.

Vetë Moikomi ka qenë transformist. Ishte kritik por edhe i kritikuar. Mungesa e një kritike transformiste, në fakt është mungesë kritike. Por kritika edhe është, edhe nuk është. Edhe është po nuk meret, edhe merret por nuk është. Thuhet se nuk është por është. Kritikë, në fakt, ka! Gjithashtu ka edhe kritikë transformiste, duke përfshirë edhe Moikomin që dha një shëmbull sesi të gjurmojmë të vërtetat përtej syzeve. Pjesën më të madhe të librit “Syzet e thyera të Meduzës”, Moikomi e shkroi kur ishte në Romë. Te varri i Antonio Gramshit, atij i shfaqet fytyra e Moisiut të Mikelanxhelos. Jo më kot Gramshi është themeluesi i filozofisë kritike të transformizmit modern sociopolitik. Vetë Moikomi u përfshi në transformizmi, fillimisht pa e kuptuar, dhe më tej, duke marrë pjesë i vetëm. Moikomi apokaliptik takon Moikomit tokësor dhe habitet nga transformimi që pëson dija brenda trurit njerëzor. Truri prodhon çudira.

Ekziston një lidhje e vjetër mes Durrësit dhe Romës. Është një kronikë e gurtë. Një lidhje e hershme që fillon që nga gurët e rrugës Apia deri te gurët e rrugës Egnatia, nga gurët e Koloseut deri te gurët e Amfiteatrit, nga gurët e Porta Maxhores, deri te gurët e Portikëve dhe Mureve Justiniane, nga gurët e gdhendur të Fontanës së Trevit, deri te gurët e pusit misterioz në qendër të qytetit, nga gurët e “Campo de’ Fiori” ku u dogj Xhordano Bruno, deri te gurët e kishës mbi amfiteatër, ku u masakrua Shën Asti, nga gurët mbi kupolën Sistina, deri te gurët fantazmë të kishës së Shën Spiridhonit, nga gurët e katedraleve të mermerta deri te gurët e torrës dhe guralecët e mozaikëve të bukurosheve dhe të kauajve në bazilikën e kodrave Arapaj.

Andrea Aleksi, me daltën e rrufeve,

skalit mbi shkëmbinj skulptura,

brigjet e Durrësit.

Kjo lidhje e hershme apo kronikë e gurtë, është shoqëruar historikisht me traditën e pelegrinazhit. Jo vetëm rrugët historikisht kalonin në Durrës, por vetë historia ka qenë një pelegrinazh. Ajo i dha kuptimin pelegrinazhit historik dhe artistik. Gjithashtu i hapi rrugën pelegrinazhit letrar, që cilëson dhe vlerëson, shmang dhe tejkalon çuditshëm të bërën dhe të pabërën. Është filtri astronomik që ndikon këtë bërje zhbërje.

Ekziston një lidhje e vjetër mes Durrësit dhe Romës, është një inteligjencë me prejardhje kozmikë. Është një medaljon mistik i kritikës transformiste që jo gjithmonë funksionon. Ai është përhapësi i inteligjencës me prejardhje kozmike, që kërkohet dhe nuk gjindet, por shfaqet kur nuk pritet, përtej çdo rrethane dhe rregullsie. Ai hesht, me heshtjen e sfinksit. Pastaj ndriçon. Është dritë e padukshme. Karakteristikë e medaljoneve hyjnorë.

Nga Durrësi në Romë,

endet gurëve, themeleve

I pazbuluar ende

Një medaljon mistik…

Mes Durrësit dhe Romës është një medaljon magjik, që funksionon. Sa herë që i kërkohet, ai ekziston, kritikon, ndreq dhe qorton, i saktë si një orë astronomike. Por shpesh edhe hesht. Hesht sepse lejon riciklimin, lindjen, procesin e transformimit, përfshirë edhe atë artistik. Një fëmijë i fryen guackave. Transformimi i florës dhe i faunës në ekosistem, shkatërrimi i bregdeteve natyrale është brenda procesit transformist, është brenda kritikës transformiste.

Procesi i transformizmit letrar e shoqëron autorin në mënyrë të pavetëdijshme. Kritika letrare në epokën e gurit është prezente, por ajo nuk duket nga bardhësia dhe qëndron e fshehur pa i zbardhur të vërtetat e zeza! Transformimi i Dantes në leopard brenda rrethit të ferrit, është obsesioni i leopardit poetik brenda nënvetëdijes, instikt i apokalipsit që nuk i përket as njerëzve dhe as hyjnive. Poezia është ajri alkimist i rishfaqes dhe transformizmit letrar, siç është Kleopatra transformimi drejt bukurisë. Transformizmi fut natyrshëm rolin shpjegues të pashpjegueshmes ku natyra dualiste bën të kuptohet sesa e rëndësishme është procesi i krijimit. Nga kafka do të zhduken si shkumë kontinentët magjikë të trurit. Pelegrinazhi transformist i kritikës do të vijojë të shoqërojë autorin në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme. Me syzet e thyera të Meduzës, mund të vijojë të qëndrojë e heshtur si sfinks, apo të shëndrojë në statuja, kronikën e gurtë!