Mediat italiane në raportimet për lajmin e rrëzimit të avionit të drejtuar nga piloti italian, Guido Andrea Guidi, që u rrëzua në Ishëm të Durrësit, flasin për lidhjet e 69-vjeçarit me persona të përfshirë në trafik droge dhe armësh.

Sipas së përditshmes italaine “La Repubblica”, piloti dyshohet se ka lidhje me klanet kriminale të trafikut të drogës dhe armëve, me trafikimin e tyre me avionë përmes pistave sekrete në provincat e Barit e Brindizit.

“La Repubblica” shkruan se një avion i vogël me një pilot në bord u rrëzua në Shqipëri, pas uljes së detyruar një fushë shumë larg zonave të banuara, në një vendpushim në Ishëm që ndodhet pak më shumë se 30 km nga Tirana. Autoritetet shqiptare, dyshonin se avioni ishte i përfshirë në trafikun e drogës edhe pse policia tha se nuk ka gjurmë të ngarkesave me drogë, shkruan gazeta.

Gazeta vijon më tej duke shkruar se për pilotin nuk ka asnjë masë mbrojtëse, por i është nënshtruar marrjes në pyetje nga hetuesit.