8 gusht 2015 – Pas hedhjes së shortit që vendosi përballë Dinamos së Zagrebit kampionët e Shqipërisë, Skënderbeun, mediat kroate nxitojnë të bëjnë disa parashikime në lidhje me këtë sfidë. Televizioni HRT thekson se Skënderbeu është një nga skuadrat më të suksesshme të futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit. Më tej shtohet se korçarët janë themeluar 106 vjet më parë, ndërsa bën një përshkrim të strukturave drejtuese dhe ecurisë së klubit bardhekuq gjatë këtij sezoni në Champions League.

E përditshmja "Vecernji" thekson se Dinamo Zagreb peshkoi kundërshtarët më të lehtë në letër dhe ka një mundësi të artë për të siguruar kualifikimin në fazën e grupeve që do të mbushë arkat e njërës prej skuadrave me plot 12 milionë Euro.

“Avantazhi i Dinamos është se deri tani ka luajtur 5 ndeshje në kampionat dhe është më përpara me përgatitjet fizike, ndërsa në Shqipëri sezoni nuk ka filluar ende. Gjithsesi, Dinamo nuk duhet ta nënvleftësojë Skënderbeun pasi është një skuadër që ka dominuar në Shqipëri gjatë 5 sezoneve të fundit dhe do ta luajë ndeshjen e parë në një impiant me 12 mijë të pranishëm”, shkruan gazeta kroate.

E përditshmja tjetër, “Jutarnji” thekson se kjo është hera e parë që një skuadër shqiptare bën një rrugë kaq të gjatë në Europë dhe shton se pika më e fortë në grupin e bardhekuqve është kapiteni Blendi Shkëmbi.

“Vlera totale e Skënderbeut shkon deri në 6.25 milionë euro, ndërsa ajo e Dinamos 52.8 milionë. Kroati Marko Radas që është rritur në shkollën e Dinamos është pjesë e Skënderbeut, një skuadër e miksuar mes eksperiencës dhe talenteve të koordinuar nga trajneri Mirel Josa”, shkuan “Jutarnji”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/