SERBI, 19 shkurt 2013 – Mediat serbe raportojnë se Serbia ka shumë aleatë në mesin e të famshmëve të Hollivudit, që janë njohës të mirë të historisë së Serbisë dhe të çështjes së Kosovës. Pas deklaratës së aktorit të njohur Tom Hanks, i cili u shpreh se Kosova është pjesë e Serbisë dhe do t’i rikthehet asaj, të përditshmet e Beogradit kanë nxituar të rendisin edhe një sërë aktorësh të tjerë që janë shprehur pro kauzës serbe.

Sipas një gazete tjetër serbe, "Veçernje Novosti", Daniel Craig gjithashtu kundërshton pavarësinë e Kosovës. Sipas tij Kosova nuk duhet të gëzojë diçka që i mungon Skocisë (pjesë e Britanisë së Madhe).

“Gjatë historisë së saj, Skocia ka pasur më shumë përparësi të marrë pavarësinë sesa Kosova, por kjo nuk u lejua të shkëputet",- ka thënë aktori. Edhe shumë të tjerë kanë të njëjtin mendim si, Robert De Niro, George Clooney, Johnny Depp dhe Richard Gere.

Sipas të përditshmes serbe Clooney është shprehur se nuk i është dhënë mjaftueshëm e drejta që Serbia të shprehë qëndrimin e saj ndaj çështjes së Kosovës.

“Lobimi serb është shumë i dobët në SHBA, dhe gjithçka mund të lexohet dhe dëgjohet vjen nga lobues shqiptarë",- ka thënë Clooney.