Ndonëse PD është në prag të mbajtjes së primareve për të zgjedhur kandidatët e saj për të garuar në zgjedhjet loKale të vitit 2023, aleati i saj, kryetari i PR, Fatmir Mediu ka propozuar dy mënyrë për të zgjedhur kandidatin e përbashkët.  Mediu pati dhe një paralajmërim nëse opozita nuk shkon në zgjedhje me një kandidat të përbashkët.

“Këto primare nuk mund të jenë brenda një subjekti politik, sepse duke qenë brenda një subjekti politik shmangin domethënë mbi 99% mundësin e pjesëmarrjes si nga shoqëria civile në këtë garë apo të partive të tjera që duhet të ndërtohet koalicioni. Prandaj, ideja e primareve të hapura ku qytetarët votojnë se kush është kandidati më i mirë është mendoj gjëja më e mirë. Po ashtu një alternativë tjetër është një sondazh me institucione kredibël që të bëj një sondazh me kandidaturat e propozuar si nga subjektet e opozitës, por edhe nga shoqëria civile të cilat në fund të fundit një sondazh i ofruar të qytetarët sipas fokus-grupeve të caktuara të thonë se kush është kandidati më i mirë dhe i bashkangjitemi këtij kandidati”, është shprehur Mediu.

Duke mbajtur një qëndrim neutral mes kryetarit të PD-së Sali Berisha dhe pjesës tjetër të deputetëve të PD të cilët ende janë skeptik për mënyrën se si po drejtohet partia më e madhe opozitare, Mediu thotë se nëse opozita nuk ka një kandidat të përbashkët nuk do të ketë asnjë marrëdhënie politike me selinë blu.

“Nuk po flasim se po bashkohem me Sali Berishën apo bashkohem me Enkelejd Alibeajn apo të bashkohem me Ilir Metën a Fatmir Mediun. Në qoftë se nuk ka kandidat të përbashkët nuk më intereson asnjë lloj marrëdhënie brenda aleancës që kemi për ndryshim në qoftë se nuk duan kandidat të përbashkët”, ka thënë ai.

Mediu thekson se sa më shumë kandidatë të futen për të garuar në zgjedhjet lokale aq më e vështirë do të jetë fitorja e opozitës.