Meghan Markle dhe Princi Harry kanë theksuar se Princi William dhe bashkëshortja e tij, Princesha e Uellsit, nuk janë ndjerë rehat me mënyrën se si Dukesha e Sussex-it i përqafonte të gjithë kur i takonte.
Këto akuza janë përforcuar në një libër të ri nga gazetari dhe eksperti Tom Quinn, i cili sugjeron se sjellja e ngrohtë dhe e hapur e Meghan e ka bërë Princin William të ndihet i sikletosur.
Në një pjesë nga libri “Yes Ma’am: The Secret Life of Royal Servants”, botuar nga “The Times”, autori përmend se përqafimet dhe puthjet në faqe të Dukeshës shkaktuan thashetheme mes stafit mbretëror, duke bërë që të qarkullonin spekulime se Meghan mund të ishte duke flirtuar me William.
Ndërkohë, Quinn thekson se edhe pse kjo nuk ishte aspak e vërtetë, atmosfera e tensionuar që krijohej për shkak të afërsisë dhe thashethemeve përkeqësoi marrëdhëniet mes vëllezërve.
Në libër përshkruhen kujtime të stafit mbretëror, të cilët tregojnë se fillimisht Meghan ishte pritur me dashamirësi nga Kate dhe William kur nisi lidhjen me Princin Harry.
Megjithatë, me kalimin e kohës, duket se u shfaqën tensione për shkak të sjelljes së Dukeshës, e cila ishte miqësore dhe e hapur, duke përqafuar të tjerët gjatë takimeve.
Një shembull për këtë është momenti kur Meghan e përqafonte vazhdimisht kunatin e saj sa herë që takoheshin, një veprim që shkaktoi diskomfort te Kate, William dhe Princi Charles.
“Ata priren të tërhiqen kur Meghan afrohej për një përqafim” – shkruan autori, duke shtuar se Dukesha e Sussexit u ndje e lënduar nga kjo, pasi në Kaliforni, ku ajo ka jetuar, është normale që të gjithë të përqafohen.
Në dokumentarin e tyre në Netflix, “Harry & Meghan”, Dukesha e Sussex-it tregoi se nuk e kishte kuptuar se sa i fortë ishte ‘formalizmi’ i Familjes Mbretërore, duke thënë se ishte një person që i përqafon të tjerët dhe nuk e dinte që kjo mund të ishte “tronditëse” për disa britanikë.
Ajo shtoi se filloi të kuptonte se rregullat dhe etiketa mbretërore vazhdonin edhe pas dyerve të mbyllura, dhe se kishte një dallim mes sjelljes para publikut dhe asaj brenda.
Përshkrimi i Harrit për takimin e parë të Meghan me vëllain e tij është gjithashtu interesant, pasi ai e quan këtë moment një “përplasje klasike të kulturave”.
Takimi i parë kishte ndodhur në fund të vitit 2016, në apartamentin e Princit dhe Princeshës së Uellsit në Pallatin Kensington, para një udhëtimi gjuetie që do të bënin Harry dhe William.
Duka i Sussexit e kujton këtë takim si një moment të ngarkuar me tension, pasi Meghan kishte takuar disa anëtarë të tjerë të Familjes Mbretërore, përfshirë Princeshën Eugenie dhe Mbretëreshën.