Meksikanët kanë zgjedhur një metodë të veçantë për të shprehur irritimin e tyre ndaj Donald Trump, pikëpamjet antiemigracion të të cilit kanë shkaktuar pakënaqësi. Sipas Reuters, në mbrëmjen e së shtunës, teksa festonin ringjalljen e Krishtit, meksikanët kanë djegur shëmbëlltyrën e manjatit të pasurive të paluajtshme gjatë ritualit të përvitshëm të Pashkëve. Portrete të ngjashme janë djegur thuajse në të gjitha qytetet e Meksikës, nga Puebla e deri te kryeqendra industriale e vendit, Monterrey.

Mediat vendase shkruajnë se djegia është pjesë e një tradite të përhapur gjerësisht të asaj që quhet “java e shenjtë meksikane”, gjatë së cilës banorët u vënë flakën maskotave që përfaqësojnë Judën Iskariot, i cili tradhtoi Jezu Krishtin. Maskotat zakonisht modelohen sipas figurave politike më pak popullore në vend.