RUSI– Një banor i Beryozovo, një fshat pranë maleve Urale, ka shkatërruar shtëpinë e një të moshuare 80 vjeçare. Forcat e rendit janë njoftuar nga e dëmtuara e cila telefonoi në rajonin e policisë në orën 03.00 të ditës së sotme sipas orës lokale.

Në fillim 80 vjeçarja kishte kujtuar se kishte shpërthyer lufta, pasi nuk arrinte të gjente një arsye të llogjikshme për praninë e një tanku në oborrin e shtëpisë së saj. Forcat e rendit që kanë mbërritur në vendgjarje kanë konstatuar se në vendin e pilotit ishte një i pirë, që nuk mund të jepte asnjë shpjegim për policët, pasi niveli i lartë i alkoolit nuk i jepte mundësi të arsyetonte.

Por më i çuditshëm është fakti se edhe pasi i doli pija ai nuk arrinte të jepte një shpjegim të saktë sesi kishte përfunduar duke drejtuar një tank, e për më tepër duke shkatërruar një shtëpi.

Gjithsesi, i pirë apo jo, personit në fjalë do t’i hiqet patenta, do të dëmshpërblejë të moshuarën për dëmin e shkaktuar dhe për më tepër rrezikon të përfundojë në burg nëse do të rezultojë se ka e vjedhur tankun.