Në ditën e sotme edhe pse është dhënë urdhër për ndalimin e udhëtimeve me tragete drejt Italisë, rreth 380 pasagjer kanë ardhur me 2 tragete në portin e Durrësit.

Shumica prej tyre janë kthyer nga autoritetet italiane pasi nuk kishin dokumentet e qëndrimit ose kishin shkelur afatin e qëndrimit 3 mujor në vendin fqinj.

Kujtojmë se një natë më parë kanë qenë rreth 1440 pasagjerë të cilët u imbarkuan në 2 tragetet e linjes së Barit. Fluks i madh i pasagjerëve kishin destinacion qytetin e Barit.

Me 680 pasagjer trageti Rigel lll dhe 720 me tragetin GNV Azzurro. Ishte një masë rreth 4-fish më e madhe se trendi i zakonshëm i udhëtimeve Durrës-Bari.

Ata nuk kanë shprehur frikë për koronavirusin dhe thanë se nuk është aq alarmante situata sa paraqitet, madje dhe maska zotëronin një pakicë e vogël.

Mes tyre, shumë do udhëtonin drejt veriut të Italisë, pasi kishin punën dhe familjet. Ata kishin planifikuar që të udhëtonin me avione shumica, por pas mbylljes së aeroportit të Rinasit për fluturime drejt aerporteve të veriut, ata kishin zgjedhur që të udhëtonin me traget drejt Barit dhe më pas të udhëtonin me autobuze drejt qyteteve të veriut. Po në mes tyre kishte dhe shumë qytetarë italianë dhe studentë që po ktheheshin në atdheun e tyre.

Mbrëmjen e sotme do të udhëtojnë sërish drejt italisë tragetet e linjës Durrës-Bari por këtë herë pasagjerë do të jenë vetëm shtetasit italianë të cilët do të duan të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Njëkohësisht edhe kamionët që kryejnë eksport-importin e produkteve të ndryshme me Italinë apo vendet e tjera europiane.

APD thekson se nga porti i Barit nuk do të ketë më pasagjerë që udhëtojne drejt Durrësit. Dy ditë më parë, kryemnistri italian, Giuseppe Conte e shpalli të gjithë Italinë zonë të mbrojtur.

Ndërsa ministrja Balluku, diten e martë urdhëroi ndalimin e fluturimeve dhe lundrimeve jo vetëm drejt veriut por drejt të gjitha aeroporteve dhe porteve në Itali.