Mënyra se si fëmijët flasin për përvojat e vështira mund të tregojë më shumë sesa mendohej deri më sot. Sipas një studimi të ri të Universitetit Stanford, nuk janë vetëm ngjarjet që kanë përjetuar fëmijët ato që sinjalizojnë rrezikun për probleme të shëndetit mendor, por edhe mënyra se si ata i rrëfejnë këto përvoja.
Studiuesit intervistuan mbi 200 fëmijë të moshës 9 deri në 13 vjeç dhe, duke përdorur inteligjencën artificiale për të analizuar gjuhën e tyre, arritën të parashikojnë se cilët kishin më shumë gjasa të zhvillonin ankth ose depresion gjatë adoleshencës.
Studimi tregon se përdorimi i fjalëve absolute si “gjithmonë” dhe “kurrë”, si edhe një mënyrë më e ndërlikuar e rrëfimit, lidhen me një rrezik më të lartë për vështirësi emocionale. Ndërsa fëmijët që flasin më shumë për njerëzit përreth, për aktivitetet që u pëlqejnë, sportin apo kafshët shtëpiake, duket se kanë më pak gjasa të përballen me këto probleme.
Ekspertët theksojnë se nuk duhet të shqetësohen prindërit për çdo fjalë që përdor fëmija, por të jenë të vëmendshëm ndaj mënyrës se si ai shpreh emocionet dhe përjetimet e tij. Sipas tyre, të dëgjosh një fëmijë me kujdes mund të jetë hapi i parë për të kuptuar nëse ai ka nevojë për mbështetje.
Autorët besojnë se analiza e të folurit mund të shndërrohet në një mjet të thjeshtë, me kosto të ulët dhe lehtësisht të përdorshëm për të identifikuar herët fëmijët në rrezik, duke krijuar mundësinë që ata të marrin ndihmën e duhur përpara se problemet të bëhen më serioze.





