Fytyra të vjetra por me objektiva të njëjtë dhe me një makinë të re që është gati të sfidojë të gjithë rivalët për ti mposhtur sërish.

“Sezon i ri, pamje e re, objektiva të njëjtë. Mirësevjen W10”. Ka qenë ky mesazhi që ka përçuar sot makina Mercedes gjatë prezantimit të njëvendëshes së saj. Edhe këtë sezon, për të tretin vit me radhë, makina gjermane, kampione e botës në Formula 1, do të pilotohet nga britaniku Lewis Hamilton dhe finlandezi Valtteri Bottas.

Mercedes ka publikuar në rrjetet sociale fotot e makinës së re, me të cilën synon të shkruajë historinë, për të fituar titullin e gjashtë kampion radhazi në Formula 1.

“Çfarë mendimi keni për makinën e re? Unë mezi po pres ta pilotoj këtë makinë sot. Pas pushimeve jam gati për sezonin e ri”, shkruan Lewis Hamilton, kampioni i botës në fuqi për pilotë.