Hetimi për “Prisma”, i nisur nga Prokuroria Publike e Torinos për të hedhur dritë mbi llogaritë e Juventusit në vitet e kaluara, vazhdon të jetë objekt diskutimi, jo vetëm për klubin e Juventusit, por edhe për lojtarët aktualë apo ata që kanë pasur veshur atë fanellë.Një prej tyre është Paulo Dybala, i cili siç raporton ‘la Repubblica’ është marrë në pyetje dje, si person i informuar për faktet, nga disa agjentë të “Guardia di Finanza”, të cilët kishin ardhur enkas në Romë nga Torino.
Disa aspekte të reja që dolën nga hetimi i “Prisma-s”, i cili, duhet mbajtur mend, përmban akuza për kontabilitet të rremë, manipulim informacioni dhe komunikime të rreme në treg kundër Juventusit, bënë që agjentët të marri në pyetje sulmuesin argjentinas të Romës, për periudhën e kaluar në Torino.Bëhet fjalë për një shifër prej 3 milionë euro si detyrim parakontraktor, pasi u zbulua një kërkese për dëmshpërblim e bërë nga avokati i Dybala drejt Juventus, pas përfundimit të negociatave për rinovimin, në shtator 2022 dhe kjo vlerë monetare u përfshi nga Juventus në pasqyrat e reja financiare.
Pikërisht kjo shifër do t’i kishte ngritur pikëpyetje te prokurorët, pasi është shumë afër 3,783 milionëve që palët kishin rënë dakord të shpërndanin në vitin 2021 në sezonin pasardhës, kuptohet se është pjesë përbërëse e ‘manovrës së pagave’ të famshme të zbatuar nga Juventusi.Seanca paraprake në sferën juridike do të mbahet më 27 mars, ndërsa në aspektin sportiv priten vendime të cilat përveç Juventusit mund të prekin edhe lojtarët: “neni 31 i Kodit të Drejtësisë Sportive i ndalon klubet të bien dakord apo të paguajnë dëmshpërblim në kundërshtim me rregullat federale dhe për lojtarët që përdorin një marrëveshje për të marrë kompensim”. Sipas rregullores, pra, Dybala rrezikon të përballet me një skualifikim që zgjat të paktën një muaj.