Sekuestrohet një sasi e madhe droge e llojit kanabis në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, e ngarkuar në dy kamionë që kishin për destinacion Greqinë. Lënda narkotike e ndarë në 103 thasë, është gjetur mbrëmjen e së mërkurës gjatë kontrolleve të imtësishme në doganë.
Në dy kamionët ndodhej një ngarkesë me krunde dhe mes tyre ishin fshehur thesët me kanabis, një ngarkesë prej më shumë se 1 ton marijuanë. Policia ka arrestuar dy drejtuesit e kamionëve: Zija Hidri dhe Ardian Sako.
Njoftimi i Policisë
Kapshticë
Policia Kufitare në bashkëpunim me Autoritetet Doganore, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, godasin një tentativë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të detajuar në vijë të dytë duke përdorur qen antidrogë dhe më pas edhe gjatë skanimit, Policia Kufitare dhe Dogana kanë konstatuar në dy kamione lëndë narkotike.
Po vijon kontrolli i imtësishëm i dy mjeteve.
Për arsye hetimore, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.