PSG dhe trajneri Galtier kanë një problem dhe jo të vogël madje, përplasjen në distancë mes dy yjeve, Mbappe dhe Neymar. Sipas “L’Equipe”, situata është alarmante në kampin parizien që po ndahet më dysh dhe Lionel Messi merr rolin e negociatorit për të bërë paqe mes dy sulmuesve të cilët nuk kanë komunikim me njëri-tjetrin.

Gjithçka nisi në ndeshjen kundër Montpellier ku O’Ney i rrëmbeu topin e 11-metërshit të dytë të ndeshjes sulmuesit francez që nuk ishte aspak dakort me atë gjest. Argjentinasi ka zbritur në fushë duke shfrytëzuar miqësinë e ngushtë që ka me Neymar dhe duke u përpjekur ta bindë që Mbappe do të ekzekutojë 11-metërshat pasi një gjë të tillë e ka të shkruar edhe në kontratën e rinovuar pak muaj më parë.

Fituesi i 7 Topave të Artë është i bindur që PSG i ka të gjitha mundësitë për t’i shkuar deri në fund misionit në UEFA Champions League por konflikti mes dy sulmuesve mund të shkatërrojë gjithë sezonin e tyre.