Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi se fermeri është investitori strategjik i forcës politike që ai përfaqëson dhe pas datës 11 maj do të përfitojë subvencione për çdo kokë bagëti dhe për çdo njësi prodhimi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta kritikoi qeverinë për gjendjen e rëndë të bujqësisë dhe blegtorisë, sidomos në zona si Përmeti, Skrapari dhe Kolonja. Ai akuzoi mazhorancën për shpopullimin e këtyre trevave dhe për shpërdorimin e fondeve të BE-së.
“Me programin tonë ‘Made in Albania’, nuk do të ketë më pragje artificiale përjashtuese për fermerët, por vetëm mbështetje me pagesa direkte dhe ndihmë konkrete,” shkroi Meta.
Ai shtoi se më 11 maj qytetarët do të japin përgjigjen e tyre në të gjithë vendin, nga Tirana dhe Durrësi deri te Diaspora.