Partia Socialiste vetëm në dy ditët e fundit ka nxjerr dy zyrtarë të saj për t’i ofruar publikisht postin e Presidentit, Ilir Metës. Fillimisht ishte ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili në emisionin “Debati në Channel One”, e cilësoi kreun e LSI-së “kandidat të fortë për President”.

“A mund të jetë kandidat? Natyrisht që është kandidat i fortë për president, por kjo varet nga Meta, nga koalicioni, nga votat në parlament. Një njeri që ka qenë kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, kryetar parlamenti, kur lexon CV dhe sheh kontributin, ai është një kandidat i fortë për President”, tha Bushati.

Ndërsa sot, deputeti Arben Çuko gjatë një interviste në “Report TV” në emisionin “45 minuta”, shkoi më tej duke thënë se “Meta President, do të lehtësonte rrugën e së majtës në pushtet”.

Por, deklaratave të zyrtarëve të PS-së i ka dhënë përgjigje zv.kryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e cila thekson se, Meta është frymëzues i LSI-së për zgjedhje e ardhshme parlamentare.

“Une mendoj se Z.Meta ndihet i respektuar nga vleresimi i disa prej figurave te Partise Socialiste qe e shohin se pari si njeriun konsensual dhe konstruktiv dhe si Presidentin e ardhshem te Shqiperise. Megjithate them se detyra e Metes si kryetar i parlamentit ende nuk ka mbaruar dhe roli i tij konstruktiv eshte dhe mbetet i pazevendesueshem ne keto kohe tensionesh te medha politike. Levizja Socialiste per Integrim keto dite po futet ne nje proces zgjedhor ku z. Meta eshte kandidati kryesor dhe ne kete moment te rendesishem politik per LSI ai eshte drejtuesi dhe inspiruesi i pazevendesueshem ne suksesin e zgjedhjeve te ardhshme”, shkruan deputetja në Facebook.