Presidenti Ilir Meta ka vizituar sot Akademinë e Studimeve Albanologjike, duke parë nga afër kryeveprat dhe dëshmitë e forta të civilizimit të hershëm europian të kombit shqiptar.

Meta thotë se ishte kënaqësi të bisedonte me profesorët atje, të cilat kanë ruajtur dhe promovuar trashëgiminë historike dhe kulturore të jashtëzakonshme.

Kreu i shtetit thekson se Akademia e Studimeve Albanologjike luan një rol të madh për forcimin e identitetit tonë kombëtar, ndaj meriton të fuqizohet dhe të mbështetet më shumë.

Postimi i Ilir Metës:

Të shohësh nga afër kryeveprat dhe dëshmitë e forta të civilizimit të hershëm europian të kombit shqiptar, autokton në trojet e veta, është vërtet një ndjesi e papërshkrueshme krenarie dhe emocionesh.

Ishte një kënaqësi shumë e veçantë të vizitoja sot Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe të bisedoja hapur me Profesor Luan Përzhitën dhe ekipin e mrekullueshëm të akademikëve, profesorëve dhe restauratorëve, të cilët punojnë me shumë përkushtim, për të ruajtur dhe promovuar një trashëgimi historike dhe kulturore të jashtëzakonshme, e cila duhet të jetë një prioritet edhe më i rëndësishëm mbarëkombëtar, për të gjitha institucionet shtetërore dhe jo vetëm.

Akademia e Studimeve Albanologjike, me një rol të madh për forcimin e identitetit tonë kombëtar, meriton të fuqizohet dhe të mbështetet më shumë.