Të shkruash për Fatmir Mingulin është një punë me përgjegjësi. E njoha që fëmijë. Ai është rritur në lagjen Zguraj në Kavajë, në një cep të saj dhe është e çuditshme që ai cep rruge të nxjerrë njerëz të artit. Është e çuditshme por e vërtetë se ajo lagje e varfër ka nxjerrë njerëz të letrave dhe muzikantë. Tek kjo lagje ishte vendosur i ati i Fatmirit familjarisht. Prindërit e Fatmirit ishin njerëz të respektuar në qytetin tonë. I ati ka qenë oficer e më vonë drejtues ndërmarrjesh. Me gjithët të shoqen vinin nga radhët partizane por ishin dhe njerëz të kulturuar, njerëz të ditur. Prirjen për letërsi Fatmiri e ka pasur të hershme.

Lidhja me librat ka qenë e hershme. Me gjithë talentin e tij, fati apo rrjedha e kohës e dërguan në Tiranë në shkollën e mesme mekanike dhe mbasi mbaroi studimet atje shkoi direkt në universitet për të studiuar për inxhinieri, për rezultatet e shkëlqyera që kishte. Dhe studimet për inxhinieri i mbaroi shkëlqyeshëm. Filloi punë në zanatin e tij ne UMB Durrës ku u dallua si specialist e më pas kryeinxhinier, drejtor ndërmarrje dhe deri në kryetar rrethi të Durrësit, ku ai punoi me kompetencë në atë periudhë siç ishte ajo e kalimit në pluralizëm.

Por edhe si nxënës në shkollë të mesme, student në universitet apo në punët që kanë të bëjnë me zanatin e tij, ai nuk do të heqë dorë nga letërsia. Do i kërkonte dhe do i gjente librat e letërsisë krahas atyre të zanatit duke kërkuar kudo me dëshirën e njeriut të uritur për dije në bibliotekën e shkollës, në bibliotekën kombëtare, apo kur shkonte jashtë shtetit për qëllime pune.

Ai ka dalë shumë herë jashtë shtetit dhe binte që andej dhe libra të letërsisë. Ai ka qenë dhe është i apasionuar për të lexuar gjithnjë në origjinal, duke zotëruar gjuhë të huaja. Këtë cilësi të Fatmirit edhe sot nuk e kanë shumë krijues. Ndoshta është kjo një nga arsyet e kulturës që ka Fatmiri, që duket se është kulturë e fituar në vite dhe jo shkollareske. Ndonjëri që e njeh me vonesë habitet me kulturën e gjerë dhe njohjen e letërsisë që ka ky njeri. Por kultura është formuar duke u marrë me letërsinë çdo ditë krahas zanatit të tij kryesor.

Edhe sot i shkëlqejnë sytë kur takon ndonjë libër të ri në gjuhë të huaj, apo kur lexon ndonjë kritikë të bukur të shkruar nëpër gazeta. Ndoshta vetë profesioni i tij si inxhinier apo  punët që ka bërë në jetën e tij ka ndikuar në stilin e të shkruarit të Fatmirit. Ai është shumë analitik por bën përgjithësime të habitshme edhe për letrarë të profilizuar. Njoh shumë njerëz, të rinj dhe me përvojë që kanë dëshirë që Fatmiri ti shikojë këtë apo atë gjë që ata shkruajnë. Fatmiri është i prerë por është dhe bindës në ato që shkruan. Dhe krijuesit, shumica e tyre, janë të kënaqur me shkrimet e Fatmirit, duke vlerësuar në të qartësinë , thjeshtësinë e shprehjes dhe aftësinë e tij për të bërë përgjithësime për shkrimet e vetë autorët e shkrimeve.

Fatmiri është shumë sistematik. Blloku i tij i shënimeve është për tu pasur zili. Në të gjen një mendim të nxjerrë nga një libër i lexuar në origjinal dhe që atij i pëlqen shumë, një shënim të nxjerrë nga një libër i lexuar në gjuhën shqipe apo një mendim i dalë nga një bisedë fare e zakonshme diku në një cep tavoline. Krahas shokëve të inxhinerisë shokët që lidhen me letërsinë nuk janë të pakët dhe janë njerëz me vlera. Fatmiri ka botuar libra, ka të tjera të gatshme për botim. Ka dhe idera të ndritura dhe të dobishme në kokën e tij tashmë të thinjur. Por dhe gazetat kanë plot shkrime të tij. E kush do i mbledhë vallë ato shkrime për t’i botuar?

Fatmiri ndjek me kujdes tërë botimet që bëhen brenda vendit, por edhe letërsinë e huaj që botohet nëpër botë duke i kërkuar fëmijëve të tij që ka jashtë shtetit që t’ia dërgojnë apo duke i marrë nëpër miq dhe të njohur. Njohja e Fatmirit është edhe me njerëzit e letrave dhe me njerëz të ditur në shtete të tjera me të cilët ai mban korrespondencë. Dhe korrektesa e tij është për t’u patur zili. Kjo mbase lidhet me natyrën e Fatmirit, me zanatin bazë të tij. Këtë nuk di ta them qartë, por pohoj me plot gojën se ai është tepër sistematik dhe shumë korrekt në jetën e tij të zakonshme dhe veprimtarinë letrare duke konsumuar dhe veten e tij. Këto veti e kanë bërë që të ketë respekt të plotë te të njohurit e shumtë.

Fatmiri është akoma i ri. Vepra të tjera do të shohim nga ai. Jam i sigurt për këtë. I uroj Fatmirit jetë të gjatë për të mirën e tij, të familjes dhe të kulturës sonë.

Kadri Dimni

 

FATMIR MINGULI

E veçanta e një intelektuali durrsak  

Një shkrim për Fatmir Mingulin nga Kadri Dimni natyrisht që është një gjë normale për jetën intelektuale të qytetit të Durrësit.

Por e veçanta qëndron në idenë që parashtrohet në këtë shkrim që nuk është thjesht lavdërues. Flitet për një njeri midis njerëzve që jeton e punon bashkë me ta duke dhënë ndihmesën modeste në gjallërimin e kulturës durrsake. E veçanta qëndron edhe në punën e Fatmir Mingulit si kritik letrar. Ashtu siç vrojton edhe artikull shkruesi Kadri Dimni, kemi një kombinim të punës inxhinierike dhe analizës letrare. Kjo po është tharmi i shkrimeve origjinale të shkrimeve të këtij kritiku.

Krahas artikujve dhe librave për kritikën Fatmir Minguli është lektor i jashtëm në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës ku kontribuon në lëndët inxhinierike. Ai gjithashtu ka gati në botim librin me ese “ Kanuni i përkitur” që bën fjalë për shikime ndryshe të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

                                                                                                Marrë nga gazeta-lajmi.info