Nga 105 euro për 5 net e 6 ditë, të tilla paketa turistike kanë  ofruar hotelet në bregdetin e Durrësit për sezonin e vjeshtës, për mijëra nxënës nga Kosova, kryesisht të shkollave të mesme, që vizitojnë Shqipërinë.

Në Kosovë, viti i ri arsimor nis më 1 shtator, me qëllim që deri më 15 tetor të gjitha shkollat të kenë mundësi që brenda planit mësimor të organizojnë ture mësimore e turistike njëherësh me qëllim njohjen e historinë e kulturës së Shqipërisë. Vizitat përfshijnë qytetet e Shkodrës, Krujës, Tiranës dhe Durrësit, objektet historike e kulturore, kalatë dhe muzetë.

Qëndrimi i të rinjve bëhet në hotelet përgjatë vijës bregdetare. Mësuesit e shkollave deklarojnë për “DurrësLajm”, se të gjitha paketat e qëndrimit janë ekonomike dhe përfshijnë fjetjen, ushqimin dhe pagesën e biletave në këto objekte në qytete të ndryshme. Sipas mësuesve, edhe kuzhina e hoteleve i është përshtatur nxënësve nga Kosova, ndërsa shërbimi duhet rritur në kushtet e dhomave të hoteleve. 

K.H.