Artisti Alfred Mirashi përmes simbolikës së çelësit tregon rrugën drejt një bote gjithnjë e më shumë ndërvepruese, por pa harruar asnjëherë identitetin nga vijmë.

Çelësi jo si kyç për të mbyllur dyert, për t’u mbyllur vetë brenda, për t’u izoluar, por çelësi si një mjet për të hapur një derë, një horizont të ri, çelësi si një urë komunikimi me ata që na rrethojnë, një urë komunikimi mes kulturave të ndryshme, një element që na lehtëson ndërlidhjen me vlerat e së shkuarës, një çelës kujtese për të na ndihmuar të mos harrojmë nga vijmë e ku shkojmë. Ky është çelësi i Alfred Mirashit apo Milotit, që këtë objekt sa të rëndësishëm e njëkohësisht sa të pavlerësuar nga të gjithë ne, e ka vënë në qendër të të gjithë veprave të tij artistike, duke e kthyer në simbolin e zbërthimit të idesë së tij. Skulpturës së tij të fundit, që paraqet një çelës gjigand, por të shtrembëruar, i ka vënë emrin shumë kuptimplotë “OPEN” (nga anglishtja hap). Është pikërisht kjo ide që do të përçojë Miloti, “hapja në mënyrë filozofike e ideologjike” siç e quan ai. “Duhet të kemi kurajon të konfrontohemi me njëri –tjetrin, kështu edhe jeta bëhet më e bukur…. Bota e sotme s'ka nevojë të mbyllet, por të jetë e hapur, kjo është e ardhmja e njerëzimit. Ne duhet të prezantohemi pa paragjykime, kështu çdo kulturë mëson nga tjetra”, thotë ai gjatë intervistës dhënë për gazetën “Dyrrah”.  Në pikturat e Milotit vihet re një mbivendosje e pikturës abstrakte me ikonologjinë figurative. Ndodh kështu që figura të njohura të historisë e antikitetit si Sokrati, Platoni apo perëndesha Afërditë shkrihen me penelatat abstrakte për të përçuar idenë se asgjë nuk duhet të harrohet, aq më tepër kujtimet, sekretet, memoria kolektive e njerëzimit. Në një kohë kur komunikimi ka nisur ta humbë kuptimin dhe formën e mëparshme, kur ka nisur të kthehet gjithnjë e më shumë virtual apo inekzistent, Miloti kthen sytë nga çelësat, për t’i bërë apel kujtesës njerëzore të bëjë llogaritë me të shkuarën, të mos harrojë identitetin, por njëkohësisht të jetë e hapur drejt prurjeve të reja, drejt një bashkëekzistence simbiozë, që ndërthur elemente nga “të ndryshmet”, për të krijuar “Sintezën”. Në një shkrim për krijimtarinë artistike të Milotit, kritiku italian i artit, Massimo Sgroi shprehet,- “Çelësat hapin dyert; kalimet që lidhin kujtimin dhe historinë me kohën tonë, fryt i një sedimentimi mijëravjeçar i cili përtej teknologjive të ndryshme, mbetet i njëllojtë në kuptimet filozofike me atë të dy mijë vjetëve më parë”. Alfred Mirashi, alias Miloti është një artist shqiptar, që karrierën e vet artistike e ka ndërtuar në Itali. Pasi ndoqi liceun artistik “Mujo Ulqinaku” (tani “Jan Kukuzeli”) në Durrës, ai emigroi drejt Italisë si shumë bashkëatdhetarë të tjerë të tij. Studimet e larta i përfundoi në Akademinë e Brerës në Milano, ku u formua si artist. Nga Durrësi kujton me nostalgji profesorët e tij të parë si Nikolet Vasia, Luan Berhami e të tjerë që i dhanë njohuritë e para për artin e i ngulitën edhe më shumë pasionin për t’u bërë artist. Lidhjet e forta që ai ka me origjinën e tij, me atdheun e tij janë shumë të dukshmet në pikturat apo skulpturat e realizuara gjatë gjithë këtyre viteve. Figura të rëndësishme të historisë sonë si Nënë Tereza e Skëndërbeu ai i pikturon në skulptura vezësh gjigande krahas personazheve të njohura si Giordano Bruno apo Dante Alighieri për të mbërritur tek idhuj të ditëve tona si Maradona. E në të njëjtën kohë nuk harron që në çdo ekspozitë ku merr pjesë të prezantohet si artist shqiptar.

Alfred, çdo artist e kujton momentin e parë kur i lindi pasioni për t’u marrë me art. Cila ishte shtysa që ju nxiti të nisnit të pikturonit?

Unë kam lindur në Milot, qytetin tim të vogël. Kam pasur një fëmijëri të shkëlqyer, sepse me bashkëqytetarët e mi kishim një raport të mrekullueshëm edhe pse ishim në një periudhë të vështirë ekonomike. Unë nuk i harroj ato që ka vuajtur familja ime, sakrificat që kanë bërë prindërit e mi për të më rritur e shkolluar. E konsideroj veten me fat që linda në atë qytet, pasi aty vinin njerëz nga e gjithë Shqipëria, sidomos nga zonat veriore. Të dielën, që ishte ditë pazari, shihje malësorë, mirditorë, zadrimorë dhe mua që kur isha fëmi më habiste gërshetimi i ngjyrave, fantazia me të cilën ishin qëndisur veshjet, me format e thjeshta dhe shumë dekorative. Mund të them pa frikë se ishte një ndër gjërat më të veçanta që kemi pasur në kulturën tonë. Unë kam pasur dhe fatin e madh që mamaja ime qëndiste shumë bukur duke përdorur ngjyra të larmishme të kombinuara me një harmoni fantastike.

Ju ishit shpallur familje kulake në kohën e regjimit komunist dhe ky fakt ju penalizoi të ndiqnit Akademinë e Arteve në Tiranë. Po gjithsesi mundët të merrnit një formim artistik në shkollën e mesme artistike "Mujo Ulqinaku" në Durrës. Kush ishin mësuesit tuaj të parë që ju mësuan abc-në e artit?

Të mendosh sot se si emërtohej një familje në atë kohë me termin kulake është diçka e paimagjinueshme. Unë si shumë të rinj të tjerë të asaj kategorie s’kishim të drejtë të vazhdonim universitetin, megjithëse unë pata fatin që ndoqa të paktën liceun artistik "Mujo Ulqinaku" në Durrës, në të cilin kam filluar të hedh hapat e para drejt artit. E kujtoj me shumë mall atë periudhë. Në kujtesën time zë një vend të rëndësishëm profesori i skulpturës Luan Berhami nga Shijaku, një njeri shumë i mirë që gjithmonë më ka qëndruar afër, si një prind. Ai na ndihmonte edhe nga ana psikologjike si nxënës në hapat e para që ishim në atë kohë. Ndërsa për vizatimin më kujtohet profesor Nikolet Vasia, nipi i Kol Idromenos, me të cilin kisha një raport shumë fantastik. Me profesor Nikoletin kam ruajtur akoma një raport miqësor. Sa herë kthehem për pushime në Shqipëri takohemi, pimë një kafe e diskutojmë për artin e ditëve tona. Në lice kujtoj dhe profesorët Agim Shamin, Skënder Kokobobën, Abaz Hadon, Gavril Priftulin, Hamlet Ajazin etj. Të them të drejtën me të gjithë kisha një raport shumë artistik dhe shumë njerëzor, si me mësuesit ashtu edhe me nxënësit e liceut.

Thuhet se vitet e adoleshencës nuk harrohen kurrë. Çfarë kujtoni nga Durrësi i asaj kohe dhe si ndiheni kur e vizitoni gjatë kthimeve tuaja në atdhe?

Mund të them se vitet e asaj periudhe janë vitet më të bukura të jetës sime. Më kujtohet periudha e konviktit, vite të mrekullueshme ndoshta për faktin se isha pak më shumë se një fëmijë dhe e shihja çdo gjë me naivitet, pa djallëzi dhe jetën e merrja me entuziasmin e një 16 vjeçari….. Durrësi për mua mbetet një ndër qytetet që më ka dhuruar më shumë emocione dhe sa herë që kaloj nga ato anë ndalohem dhe e shikoj me shumë nostalgji, pasi çmoj shumë ndryshimet e bëra në të mirë të qytetit.

Ikët drejt Italisë me njërin prej eksodeve masive. Ishit shumë i ri, po dëshirën për artin e morët me vete atje. Italia njihet si vendi ku janë të përqendruar numri më i madh i veprave artistike dhe atdheu i dhjetëra artistëve shumë të njohur.Sa ju ndihmoi ky fakt për të vazhduar rrugën e artit?

Në mars të '91 si mijëra shqiptarë të tjerë u largova nga Shqipëria për të kërkuar diçka që vendi ynë nuk ma ofronte. Akoma më kujtohen të qarat e fëmijëve, ulërimat e nënave dhe ato fytyra të ftohta, të cilat drejtoheshin drejt një fati të panjohur…. 

Italia mund të them që është vendi i artit botëror ose aty ku kanë lindur personalitetet më të larta në çdo fushë, por më e fuqishme është ajo e artit. Kjo bëri që në shpirtin tim të mos shuhej aspak dëshira për të vazhduar më tej studimet në fushën e artit e pse jo edhe me një konkretizim si dëshira për të bërë të njohur artin shqiptar në Itali dhe mbarë botën.

Studimet e larta të kryera në Akademinë e Brerës në Milano, Itali i keni plotësuar me studime të mëtejshme në Londër, Barcelonë e Nju Jork. Cilën nga këto etapa të studimit tuaj e konsideroni si më të rëndësishmen për formimin tuaj si artist?

Ëndrra që kisha që në Shqipëri filloi të bëhej realitet kur fillova studimet në Akademinë e Brerës në Milano, ku pata fatin të njihja artistët dhe kritikët më të mirë të artit italian. Falë dëshirës dhe impenjimit tim arrita të fitoj bursën “Erasmus” në Angli, e cila solli për mua një njohje të muzeve e artit botëror. Megjithatë mendoj se etapa e zhvillimit si artist ka qenë ajo e Akademisë së Brerës, e kjo falë faktit se aty kishte shumë studentë nga e gjithë bota. Çdo njëri prej studentëve tregonte eksperiencën e vet në art. Në fund të vitit të katërt në sallonin nr. 1 në muzeun e artit modern në Milano pata fatin e madh që fitova çmimin e parë mes 4.000 studentëve të pikturës.

Ekspozita më e fundit ku po merrni pjesë është ajo e artit bashkëkohor e hapur në qytetin Noto (Siracusa) qytet barok në Siçili. Ju aty përfaqësoheni me skulpturën tuaj Open 2012. Na shpjegoni pak si ju lindi ideja e kësaj skulpture?

Në qytetin Noto më ka ftuar kritiku italian prof. Carmel Strano, që ka hapur ekspozitën "Baroco austero". Ai ka ftuar artistë nga shumë vende të botës dhe unë mora pjesë me një skulpturë, Open 2012. Ideja e kësaj skulpture kuptohet nga forma e titulli i saj Open. Bota e sotme s'ka nevojë të mbyllet, por të jetë e hapur, kjo është e ardhmja e njerëzimit. Ne duhet të prezantohemi pa paragjykime, kështu çdo kulturë mëson nga tjetra. Qyteti Noto është një ndër qytetet baroke më të bukura të Mesdheut, një qytet i mbrojtur nga UNESCO, prandaj ndihem mirë që marr pjesë në këtë ekspozitë krahas artistëve të tjerë nga e gjithë bota.

Çelësat janë pjesë e pandarë e shumë pikturave tuaja. Çfarë përfaqësojnë ata për ju?

Idea e çelësave më ka lindur rastësisht duke parë në një merkatë në Firenze ku shiteshin objekte të vjetra. Aty pashë çelësat e ‘700-800-ës, të ndryshkur, me formë të bukur, që njerëzit i blinin si objekt zbukurimi, sepse ato nuk përdoren më. Pra në ditët tona çelësi nuk duhet përdorur për t'u mbyllur, por vetëm për hapjen në mënyrë filozofike e ideologjike. Duhet të kemi kurajon të konfrontohemi me njëri –tjetrin, kështu edhe jeta bëhet më e bukur. Edhe forma e çelësit në vetvete është shumë magjike.

Ju keni zgjedhur Milot si emër arti, kjo ndoshta për t’u identifikuar me vendlindjen tuaj. Sa vend zë Shqipëria në punimet tuaja?

Une kam filluar studimet kur në Itali nuk ekzistonte një imazh i mirë për shqiptarët. Dëshira për të treguar se unë nuk kisha asgjë për të cilën të turpërohesha solli idenë të vendos si emër arti, emrin e qytetit ku kam lindur, pikërisht për të treguar se gjithë ajo që unë isha, ishte falë qytetit ku u linda e u rrita. Nëpër ekspozitat  ku marr pjesë prezantohem gjithmonë si shqiptar. Arti që bëj unë ka karakteristikat thelbësore të identitetit mesdhetar. Të mos harrojmë që në këtë pellg kanë bashkëjetuar për shekuj me rradhë shumë kultura dhe është pikërisht ky bashkëveprim dhe harmonia e krijuar në shkëmbimet reciproke që e bën dhe jetën tonë më interesante. Jemi me fat që jetojmë mes këtyre vendeve që kanë dhënë shumë për artin, pasi e gjithë kjo traditë e histori shekullore ështe frymëzimi më i madh për artistët e sotëm.

A e keni menduar të hapni një ekspozitë në Shqipëri?

Do të vijë koha që do të ekspozoj edhe në atdheun tim. Mendoj që Ministria e Kulturës duhet t’i afrojë më shumë artistët që bëjnë sakrifica dhe që prezantojnë Shqipërinë nëpër botë. Me këtë nuk dua të them se artistët që jetojnë në atdhe nuk bëjnë sakrifica, por s’duhet të harrojmë që në Itali dhe në botë është shumë e vështirë për të hyrë në botën e artit e kjo për faktin që jemi në vend të huaj.

Në një kohë kur kriza ekonomike është ulur këmbëkryq në Europë sa e vështirë është për një artist të jetojë me artin e tij?

Mendoj se kriza ekonomike për artistët ka ekzistuar përherë, sepse arti është diçka luksoze, por njeriu duhet të besojë në vetvete, për t'ia arritur qëllimit. Koha në këtë periudhë në Europë nuk është shumë e favorshme në ekonomi. Ne vijmë nga një vend që s'duhet ta përmendim fjalën krizë, duhet të punojmë me vullnet e sinqeritet në mënyrë të tillë që të mposhtim çdo krizë. Për mendimin tim sjellja e së resë në art nuk shoqërohet me krizë.

Kur i kushtohet jeta artit, çfarë sakrificash bën artisti?

Historia e shumë artistëve të mëdhenj na ka treguar gjithmonë se artistët vetëm pas vdekjes marrin vlera të mëdha, por sot kohët kanë ndryshuar. Unë dua të them që sakrificat bëjnë të gjithë njerëzit në çfarëdo lloj profesioni që ata ushtrojnë, por dua të theksoj se në jetë pasioni për diçka nuk duhet të merret me shumë “seriozitet” e me ultimatume. Sipas meje duhet te gjendet gjithnjë rruga e komunikimit për të arritur ekuilibrin, në mënyrë që sakrificat të mos kthehen në fatkeqësi. Artistin më shumë e bën të pavdekshëm koha. Në qoftë se ai lë pas diçka interesante  e artistike njerëzit do ta kujtojnë e vlerësojnë gjithmonë.

Në çfarë ekspozitash do të prezantoni punimet tuaja gjatë këtij viti?

Në këtë kohë, ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola, ka organizuar një ekspozitë në Romë së bashku me bashkinë e qytetit me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Ai më ka ftuar të marr pjesë në ekspozitën që do të hapet në muzeun më të rëndësishëm “Museo della civilta” në kryeqytetin italian në datat 4 shkurt – 3 mars 2012. Në prill kam një ekspozitë personale në galerinë “La corte arte contemporanea” e Rosanna Tempestinit, ndërsa në gusht kam për të marrë pjesë në një ekspozitë ndërkombëtare në muzeun e artit modern në Londër.

Artisti ka gjithmonë nevojë për frymëzim për të krijuar. Ju nga e merrni frymëzimin?

Frymëzimi… Unë mendoj se ai më shumë ushqehet duke marrë pjesë nëpër ekspozita si dhe duke vizatuar, pikturuar e duke bërë skulptura. Firenze është një qytet muze. Në çdo rrugë ka skulptura, arkitektura e të gjithë qytetit është e mahnitshme prandaj besoj se frymëzimi është i përhershëm.

Skulpturat tuaja janë të dimensioneve të mëdha. Sa kohë dhe sa mund ju duhet për të përfunduar një të tillë?

Skulptura që ekspozova në Venezia me rastin e bienales, që koinçidoi me zhvillimin e festivalit të filmit atje, ishte me dimensione të mëdha. Për të realizuar këtë çelës të stërmadh kam punuar më shumë se 8 muaj, por kjo vepër më ndihmoi shumë në Venezia, sepse më kanë ftuar në shumë evenimente të tjera në të gjithë botën. Skulptura OPEN me të cilën u prezantova në Venezia tani ndodhet në muzeun internacional në Portofino.

Si është një ditë normale pune për ju?

Në këtë periudhë ditët normale për mua janë shumë të ngarkuara me punë e projekte të reja. Këto i bëj me shumë dëshirë e vullnet, sepse e kam zgjedhur vetë këtë profesion e shpresoj që dalëngadalë do ta arrij qëllimin tim si artist.

 Djali juaj, Gerardi, ju frymëzoi për veprën tuaj më të fundit. Nëse një ditë ai ashtu si ju do të ndërmerrte rrugën e artit si do të ndiheshit?

Me djalin tim, Gerardin, kam një raport shumë të mirë. Ai është 4 vjeç, por kur shprehet më habit shumë me mënyrën sesi i mendon gjërat. Veprën që kisha në bienalen e kinemasë në Venezia 2011 ma dha ia idenë. Si pjesa më e madhe e fëmijëve ai ka për zakon të më ndjekë nga pas edhe kur punoj. Duke goditur me çekiç në studion time, ai i dha një çelësi të vjetër formën që ka skulptura ime. Forma më pëlqeu aq shumë, sa nisa ta realizoja vetë dhe doli diçka shumë domethënëse. Një natë, kur isha bashkë me gruan time Albinën dhe djalin në Napoli, po bindte shi. Gerardi ndërsa po shihte dritat e vetëtimave më pyeti: Babi po kush po na bën foto nga atje lart? Tani për tani konstatoj që është shumë kurioz, por do ta lë ta zgjedhë vetë rrugën e tij, po ishalla ka dhe ai shpirt artisti…

Aktualisht jeni vendosur në qytetin e Firences, i njohur ndryshe si qyteti i artit. Ç’do të thotë për ju si artist të rrethoheni nga të gjitha anët me vepra artistike e muze me vlera të pallogaritshme?

Tani për tani kemi vendosur të jetojmë familjarisht në Firenze, që siç e thashë dhe pak më parë është një qytet magjik arti, shumë i qetë, plot muze e teatro. Pothuajse çdo javë aty hapet një ekspozite arti. Aty kam shumë shokë artistë shqiptarë dhe mblidhemi në studion time, bisedojmë e diskutojmë së bashku me kuratorë galerish e kritikë arti. Ambjenti të inkurajon për të ecur përpara dhe besoj që për disa vite mund të jetoj në këtë qytet me plot gjallëri artistike.

Nga kjo që sapo thatë del që nuk e përfshini në planet tuaja afatshkurtra kthimin në Shqipëri? 

Mendoj se Shqipëria është parajsa e të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen. Unë kam lindur aty, kam familjen dhe të gjitha kujtimet e mia më të mira, më domethënëse. Sot profesioni im është pothuajse ndërkombëtar dhe nuk duhet e nuk mund të ndalem në këto momente, por një ditë mund të kthehem e të jetoj aty.