Edhe pse ndeshja e Ligës së Kombeve midis Izraelit dhe Irlandës (0-3) u zhvillua pa incidente të mëdha të dielën në mbrëmje në Debrecen të Hungarisë, Ministri i Jashtëm Izraelit, Gideon Saar, rindezi tensionet diplomatike midis dy vendeve duke akuzuar Irlandën se ishte “në anën e gabuar të historisë”.
Në një mesazh të postuar në X (ish Twitter) pak para fillimit të ndeshjes, ai zbuloi një fotografi të vitit 1939 që tregonte ekipin kombëtar irlandez, duke bërë përshëndetjen naziste para një ndeshjeje miqësore kundër Gjermanisë (1-1) në Bremen.
“Atëherë, ata po bënin përshëndetjen naziste. Këtë herë, ata po qëndrojnë në krah të terrorizmit palestinez”, shkroi ai, duke iu referuar shiritave të zinj në krahë që mbanin lojtarët irlandezë të dielën në mbrëmje në solidaritet me viktimat e konfliktit izraelito-palestinez në Gaza.
“Mbi shiritat e zinj në krahë që lojtarët irlandezë do të mbajnë sonte valëvitet flamuri i zi i xhihadizmit”, u tërbua ministri.





