Ministri i Mjedisit Lefter Koka ka qenë i pranishëm në një prej fabrikave të riciklimit të letrës në Porto- Romano të Durrësit. Ministri Koka solli shembullin e fabrikës Edil Pack, një investim prej 17 milionë euro, e cila prodhon kuti kartoni paketimi për biznesin vendas. Kapaciteti është 2 mijë ton dhe kompania po punon me ¼ e kapacitetit të saj mujor. Lënda e parë mungon sepse është vendosur moratoriumi i pyjeve, kompania importon lëndë të parë nga jashtë 400 Euro për ton. 30 mijë punonjës janë të përfshirë në riciklimin e mbetjeve urbane. Janë këta punonjës që bëjnë punët më të vështira, por që nuk kanë zë të ankohen.
“Ne nuk do të lëmë pa punë 30 mijë persona, por me seriozitetin më të madh them që ky ligj do të implementohet siaps standarteve Europiane. Garantoj qytetarët se ligji për importin e mbetjeve të riciklueshme do të implementohet me rigorozitet. Kompanitë e riciklimit i kanë të gjitha kapacitetet, por edhe ne si Ministri Mjedisi do të ushtrojmë kontrollet e nevojshme me rigorozitet në doganë për mbetjet e riciklueshme. Garantoj si Ministër Mjedisi çdo qytetar shqiptar dhe shoqërinë civile për transparencë të plotë në drejtim të këtij ligji. Është detyra jonë dhe politikës shqiptare të mbështesë biznesin vendas e të ktheje besimin te qytetari. Kërkoj mirëkuptim sepse të jeni të bindur nuk ka dhe nuk do të ketë mbetje që do të rrezikojnë jetën e shqiptarëve”, -tha Ministri Koka.
Sipas tij, Ministria e Mjedisit ka kapacitetet e nevojshme për të rritur e kontrolluar kualitietin e çdo produkti që importohet në territorin shqiptar.
Në këtë industri biznesi vendas ka investuar mbi 230 milione euro dhe sot punon me 30% të kapacitetit.
“Ekstremizmi nuk është zgjidhja, ne kemi detyrim ndaj 35 mijë njerëzve që punojnë në këtë industri të biznesit vendas“ tha ndër të tjera ministri.
Pronari i fabrikës, Bardhyl Baltëza deklaroi se mbetjet e letrës në 100% të saj bëhen sërish kuti kartoni që përdoren nga bizneset në bujqësi e në industri, pa ndikim në mjedis.
Fjala e plote ministrit Lefter Koka ne Porto Romano
Kemi ndërmarrë një tur vizitash në të gjithë industrinë e riciklimit në Shqipëri. Do të vazhdojmë dhe në ditët në vijim së bashku me Kryeministrin shqiptar për të parë realisht investimet e bëra dhe përmbushjen e kritereve të ruajtjes së mjedisit. Kjo është një industri aktive e cila nëpërmjet riclikimit prodhon letër, karton të valëzuar, kuti kartoni me një teknologji shumë bashkëkohore, do të thoja ndoshta nga më të rejat në teknologjinë evropiane.
Kompania “Edipack”, PortoRomano, Durres Është një ndërmarrje që ka investuar rreth 17 milionë euro në këtë sektor dhe ka mbi 100-150 punonjës që punojnë në mënyrë direkte ndërsa pjesa tjetër është ajo e vetëpunësuar.
Ne vendosëm pezullimin e importit të mbetjeve dhe e cuam në një situatë relativisht të vështirë këtë industry. Nga ana tjetër ne kemi vendosur moratoriumin e pyjeve dhe mendoj që familjet shqiptare kryesisht në zonat rurale kanë nevojë për ngrohje për pasojë edhe druri që shkon për djegie për pelet dhe elementë të kësaj natyre klasifikohet si mbetje duke krijuar edhe një tjetër shqetësim për këtë industri.
Thënë në terma të thjeshta janë të punësuar mbi 35 mije – 40 mijë qytetarë.
E gjithë administrata shqiptare ka përreth 80 mijë njerëz të punësuar. Nëse 40 mijë njerëz nga kjo administratë do të penalizoheshin për arsye të ndryshme dhe do të largoheshin nga puna e kuptoni se cdo të ndodhte për një fakt të vetëm që do të kishte një zë që do t‘i mbronte; do të ishte drejtoria e admnistratës publike sepse janë njerëz që kanë një kontratë.
Nga ana tjetër është po ky shtet që ka rreth 40 mijë njerëz të vetëpunësuar në këtë sektor relativisht të vështirë , pasi ata shkojnë dhe mbledhin mbetjet në kontenitorë por në fund të ditës kryejnë atë mision aq të rëndësishëm që është ndarja e mbetjeve në burim sepse këta njerëz ndajnë mbetjet pikërisht në kontenitorë pa mbërritur në fushat e venddepozitimit.
Megjithë qëllimin e mirë që pati qeveria shqiptare duke menduar se do të rritej reduktimi i mbetjeve në territorin shqiptar sepse edhe qëllimi i ligjit ky ishte që industria e riciklimit të reduktonte mbetjet në vend, por a ndodhi kjo gjë?
Në fakt gjendemi përballë një situate.
Zoti Baltëza ka importuar letër si lëndë të parë me një cmim për rreth 400 euro toni për të prodhuar kuti kartoni.Pikërisht kjo është lënda e parë dhe kjo është letra që zoti Baltëza prodhon nga mbetjet e ricikluara.
Kjo ka një cmim shitje në eksport prej 250 euro ton dhe ka një cmim blerje prej 400 euro për ton Nuk besoj që vetë kompania kërkon të shesë një produkt nën kosto. Lejimi i importit të mbetjeve të letrës e con çmimin në 90 Euro/ton, pasi kemi edhe ulje të shpenzimeve të transportit.
E kam cilësuar edhe në fjalën time në parlament. Këto janë industri që në shumë shtete evropiane subvencionohen. Ndoshta jemi i vetmi vend në Evropë që nuk subvencionojmë. Mbetjet nuk janë produkt fitimprurës në vetvete por kërkojnë të stimulohen dhe nëse ne do të kërkojmë ta penalizojmë kjo është një gjë që do ta dëmtojë rëndë ekonominë shqiptare, do të dëmtojë rëndë atë shtresë që nuk ka zë për tu ankuar. Dhe unë nuk besoj që shteti shqiptar duhet të heshtë para këtij fenomeni. Ndaj dhe morëm këtë vendim.
Vazhdoj të kërkoj me përulësi mirëkuptimin e shoqatave, ambientalistëve, të cdo qytetari shqiptarqë të jenë të bindur që nuk ka patur dhe nuk do të ketë mbetje të cilat mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo fëmijëve të tyre.
Unë jam plotësisht dakord që të bashkëpunojmë dhe jam i bindur që ambjentalistë shqiptarë kanë kapacitetet e nevojshme, Ministria e Mjedisit ka kapacitetet e nevojshme që të rrisin standartet e kompanive për të përpunuar lëndë të rcikliueshme pa prodhuar ndotje, dhe të kontrollojnë kualitetin e cdo produkti që prodhohet në territorin shqiptar.
Nesër do të shkojmë në kompani të tjera për të parë sesi ushtrojnë aktivitetin e tyre, por do të shkojmë edhe në pikat doganore në momentet e importit që të që të jemi sa më transparent.
Ndoshta kjo cështje kaq e madhe që është krijuar do të kthejë besimin tek politika që jo cdo ligj që ne bëjmë është i paimplementueshëm,dhe se jo cdo gjë duhet ta bëjë të gjithë shoqërinë që të dyshojë.
Ne përfaqësojmë këtë popull. Ne kemi për detyrë që sigurisht të dimë shqetësimet e investitorëve shqiptarë.
E theksova më parë që në adminsitratën publike janë të punësuar 80 mijë njerëz që janë vetëm 8 apo 10 për qind e të punësuarëve në territorin shqiptar.
Nëse këto biznese do të falimentojnë apo do të ulin kapacitetin do të thotë që një numër shumë i madh njerëzish do të shkojnë në shtëpitë e tyre.
Ne kemi detyrimin ligjor t’i përgjigjemi shoqatave dhe shoqërisë civile, të bashkëpunojmë ngushtësisht me ta, të rrisim standartet e kontrollit e cila është totalisht e mundur dhe kërkon vetëm bashkëpunim e mirëkuptim.
Gjuha e ekstremizmit nuk sjell produktivitet dhe as zhvillim.
Është e patolerueshme që vende të tjera si Serbia Maqedonia etj të konkurrojnë biznesin shqiptar në këtë industri, thjesht e vetëm se kanë një tjetër politikë.
Politikat ekonomike janë shumë më të mëdha se gjeopolitika që ne bëjmë.
Gjërat duhet të shihen konkretisht dhe thjesht. Ja ku është fabrika, ja ku është letra e importuar dhe ja dhe letra që është prodhuar nga ajo letër riciklimi.
Përballë këtyre fakteve të marrim vendime të cilat i shërbejnë vendit dhe mjedisit dhe kjo është detyra primare e Ministrisë së Mjedisit.
Unë besoj që do të mundemi me vullnet të mirë ta bëjmë shoqërinë shqiptare që të kthejë besimin tek politika shqiptare.
Fjala e zotit Bardhyl Baltëza, administrator I EdiPack
Dua të sqaroj një gjë që për shoqërinë civile duket sikur është problem i madh dhe ngrihet pyetja se sa përqind e këtyre mbetjeve që do vijnë do të shkojnë në landfill.
Po sqaroj një gjë.
Nëse marrim një ton letër mbeturinë do të nxjerrim një ton letër.
Lënda e parë që marrim pra letra e mbledhur ka më tepër lagështirë se letra jonë dhe efektivisht në total marrim 10 për qind më tepër lagështirë sesa letra që prodhojmë ne. Pra nuk do të hedhim asnjë gram letër në landfill.
Këtu ku jemi, në këtë zonë është lehtësisht e kontrollueshme sepse mund të shkoni e të pyesni nëse kemi hedhur mbetje .





