Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të vizitojë Serbinë më 7 qershor.  Sipas mediave serbe Lavrov do të ketë një sërë takimesh me lidershipin shtetëror serb dhe pritet që në takimin me presidentin serb Aleksandër Vuçiç të diskutojë për ngjarjet në Ukrainë dhe qëndrimin e Serbisë për këtë çështje.

Po ashtu një nga temat e diskutimit do të jetë bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve në kohën kur blloku perëndimor ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Kjo do të jetë vizita e parë e një zyrtari të lartë rus në Serbi që nga nisja e luftës në Ukrainë dhe vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po përgatit paketën më të ashpër të sanksioneve deri më tani.

Kujtojmë se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i është bashkuar deri më tani sanksioneve anti-ruse dhe për shkak të të cilave BE ka rritur presionin ndaj Beogradit.

Mediat serbe shkruajnë gjithashtu se ardhja e Lavrov do të jetë një mundësi për të sqaruar më tej qëndrimin e Moskës për Kosovën dhe Metohinë, duke pasur parasysh deklaratat e fundit të presidentit rus Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tjerë rusë, të cilët bënë krahasime me situatën në Donbas.