Pagat e muajit Maj 2023 do të kalojnë siç janë pa ndryshimin me ligjin e ri, edhe pse parlamenti disa ditë më parë miratoi projektligjin për rritjen e pagave. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Financave  Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat këtë të enjte.

Ministrja tha se pagat e majit nuk do të ndryshojnë për të mos shkaktuar vonesa për shkak të përgatitjes së dokumentacionit.

Duke qenë se janë mbi 200 institucione të administratës qëndrore të cilat preken nga këto vendime por janë dhe mbi 130 mijë të punësuar duke bashkuar këtu dhe të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në fushën e sigurisë pagat e të cilëve u miratuan që në muajin Prill. Zbardhja e vendimeve dhe aplikimi i vendimeve merr një kohë më të gjatë. Kjo është dhe arsyeja pse për të qenë më koherentë dhe për të shkaktuar sa më pak vonesa në marrjen e pagave ne u kemi kërkuar të gjitha institucioneve buxhetore të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që pagat e muajit Maj në fazën e parë të kalojnë siç ishin para se të hynte në fuqi reforma. Duke marrë në konsideratë këtu që disa prej institucioneve në fakt titullarët e institucioneve që preken nga ligji i cili kaloi në Parlament mund të aplikoheshin pagat, ne vendosëm që pagat në tërësi të kalojnë siç kanë qenë në muajin Maj dhe ndërkohë me zbardhjen e vendimeve do instruktojmë për dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për muajin Prill qoftë për muajin Maj”-tha Ibrahimaj.