Në nisje të vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka treguar më shumë detaje rreth Abetares së përbashkët në Shqipëri dhe Kosovë.

Në një intervistë për Klan News, Kushi deklaroi se kjo ishte një ide e kryeministrit Edi Rama e miratuar nga homologu i tij kosovar Albin Kurti.

Gjithashtu ministrja deklaroi se ideja është për një Abetare të unifikuar në të gjitha trevat shqiptare.

“Kemi një vit që po punojmë për Abetaren e përbashkët unike. Vitin e kaluar, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive kryeministri Edi Rama hodhi idenë, ndërsa kryeministri Albin Kurti e pranoi dhe ne direkt që të nesërmen nisëm midis dy ministrive të punojmë. Fillimisht caktuam protokollin, paketën e dokumenteve, të gjitha procedurat si do të arrinim te Abetarja, ngritëm një komision të përbashkët me 2 bashkëkryetarë, me 12 anëtarë, 6 nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe 6 nga të Kosovës. Më pas u shpall një konkurs i hapur ku të gjitha shtëpitë botuese mund të konkurronin, por kusht ishte që duhet të ishin dy shtëpi botuese një nga Shqipëria dhe një nga Kosova bashkëpunim dhe ndërkohë dhe autorët duhet të ishin dhe nga Shqipëria dhe nga Kosova sepse duhet të ishte një produkt i dakordësuar që më pas dhe në zbatim të ishte i pranuar nga të gjitha palët. Kështu që hap pas hapi kemi punuar vërtet shumë në një kohë shumë të shpejtë sepse imagjinoni në Nëntor u bë deklarata dhe në dhjetor nënshkruam marrëveshjen dhe për shtatë muaj, më pak se tetë muaj arritëm ta bënim realitet. Abetarja e re ka dhe përmbajtje dixhitale dhe prandaj them që janë ndryshime që i kërkon koha, që vijnë si rezultat i zhvillimeve që ndodhin. Ka përmbajtje dixhitale, reflekton ndryshimet sociale, kulturore… Është tekst unik prandaj themi Abetare e përbashkët unike. Nëse për lëndët e tjera ka alternativa dhe shkollat zgjedhin deri në tre alternativa, kjo do të jetë e vetme, pra në të gjitha shkollat do të jetë vetëm një tekst në mënyrë që nxënësit startin ta kenë të barabartë. Lajmi i mirë dje ishte që kishim dhe Ministrin e Arsimit të Maqedonisë së Veriut, që ka bërë madje dhe në rrjetet sociale një deklaratë që ata po marrin masa në mënyrë shumë të shpejtë që këtë vit ta përfshinë si tekst plotësues dhe pastaj vitin tjetër dhe atje të jetë tekst i detyruar unik për të gjithë shkollat ku mësohet gjuha shqipe. Madje dje në Kongres dhe sot kishim edhe ministrin e Arsimit të Malit të Zi që edhe ai tregoi shumë interes dhe në vijim gjatë negociatave do të shikojmë që edhe në atë në shkollat shqipe të jenë… Padyshim që do të flasim edhe në Preshevë. Pra ideja është në të gjitha trevat shqiptare të kemi një Abetare”, tha Kushi.