A ndikon vërtet alkooli negativisht te veshkat, apo është thjesht mëlçia ajo që vuan? Prof. asoc. dr. Marsida Duli shpjegon se një nga bindjet më të përhapura rreth alkoolit është krejtësisht e gabuar.
“Mbase është mit dhe është mit në të vërtetë fakti dhe persistenca e të menduarit që birra ndikon apo dhe pijet e tjera apo koktejlet, të gjitha ndikojnë pozitivisht. Disa shprehje jo të rralla janë: pini, konsumoni birrë që të largoni gurët nga veshka. Në përgjithësi mendohej që konsumi i birrës apo i koktejleve mund të ndikonin në largimin e gurëve apo edhe në përmirësimin e hidrimit të trupit. Ndërkohë ndodh e kundërta, sepse efektet që ka alkooli në organizmin tonë, dhe sidomos në veshkë, janë shumë të dëmshme,” shpjegon dr. Duli.
Pse birra “hidron” në pamje, por në fakt dehidron?
Sipas mjekes, kur konsumojmë birrë, zakonisht e bëjmë këtë në sasi të shtuara dy, tre gota, madje edhe më shumë gjatë verës.
“Kur konsumojmë birrë në përgjithësi konsumojmë sasi të shtuar. Kjo ndikon negativisht sepse rrit fluksin dhe punën e veshkës. Filtrimi dhe proceset që kryen veshka për një periudhë kohe të shkaktuar gjatë pirjes së birrës ndikojnë goxha negativisht, sepse rrit fluksin, rrit punën, rrit filtrimin, dhe kjo në disa raste mund të shkojë në përkeqësim të funksionit të veshkave, nëse ka sëmundje pararendëse, ose deri në dështimin e funksionit të veshkës,” thotë ajo.
Një nga ndikimet kryesore të alkoolit, sipas dr. Dulit, është ai hormonal.
“Një ndër ndikimet kryesore që ka alkooli është ai ndikimi hormonal, pikërisht tek hormoni antidiuretik, i cili është përgjegjës për rregullimin e sasisë së lëngjeve në organizmin tonë. Kur konsumojmë alkool, ky hormon ndryshon veprimtarinë e tij dhe shtohet sasia e urinimit,” shpjegon mjekja, duke sqaruar se personi mendon se po hidratohet duke pirë, por ndodh krejt e kundërta.





