Vala e të nxehtit po godet edhe politikën franceze: Ligjvënësit e Partisë së Gjelbër paraqitën një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, duke e akuzuar atë për dështim në menaxhimin e situatës ekstreme që përfshiu vendin që nga fundi i qershorit.
Mocioni është firmosur nga 32 deputetë të Gjelbër, 25 deputetë të partisë së majtë radikale a France Insoumise dhe një deputet socialist. Nisma ligjore pritet të shqyrtohet në Asamblenë Kombëtare më 6 korrik. Megjithatë, ajo pak gjasa ka që ta qeverinë e pakicës së kryeministrit Sébastien Lecornu, pasi partia e djathtë Tubimi Kombëtar bëri të ditur se nuk do ta mbështesë, ndërsa socialistët nuk kanë votuar deri tani pro mocioneve të ngjashme kundër qeverisë.
Zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon, kritikoi nismën e opozitës, duke deklaruar se “qeveria po menaxhon krizën, ndërsa disa forca politike po përpiqen ta thellojnë atë përmes mocionit të mosbesimit”. Autoritetet franceze raportojnë se që nga 20 qershori, vala e të nxehtit që ka përfshirë Europën ka shkaktuar të paktën 1 mijë vdekje shtesë në Francë.
Edhe pse aktualisht temperaturat kanë rënë nga nivelet rekord të ditëve të fundit, në pjesën më të madhe të Francës ato mbeten rreth 30 gradë Celsius. Sipas shërbimit meteorologjik Météo-France, një tjetër valë e të nxehtit pritet të godasë vendin gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme.
Kohëzgjatja, intensiteti dhe shtrirja gjeografike e këtij episodi të ri mbeten ende të paqarta. Kjo do të ishte vala e tretë e të nxehtit për këtë vit, ndërsa e para mbërriti në mënyrë të pazakontë herët, që në muajin maj.





