Euro e mbylli javën me një tjetër rënie të ndjeshme në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të premten me 108.73 lekë, në rënie me 0.67 krahasuar me një ditë më parë dhe me 1.89 pikë (ose 1.7%) që nga fillimi javës.

Rënia e kursit të euros të euros krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është zgjeruar më tej në 9.7%. Rënia e kursit të euros po thyen, ditë pas dite, rekorde të reja historike. Sipas agjentëve të këmbimit, oferta e monedhës europiane këtë vit paraqitet shumë e lartë.

Duke ndjekur tendencat e bilancit të pagesave dhe pritshmëritë e operatorëve, mund të supozohet se hyrjet valutore, sidomos të lidhura me turizmin, paraqiten edhe më të larta këtë vit. Fillimi i sezonit turistik besohet t’i ketë rritur edhe më shumë këto prurje, por bazuar në tendencat historike piku i hyrjeve valutore duhet ende të vijë deri në fillim të muajit gusht.

Për këtë arsye, është e pritshme që rënia e euros të vazhdojë dhe të prekë rekorde të reja për këtë vit. Këtë vit leku po shënon ritmet më të larta të mbiçmimit vjetor në kursin e këmbimit me euron.

Përveç prurjeve valutore që besohet se do të jenë në nivelet më larta historike, paralelisht forcimi i lekut mund të jetë ndikuar edhe nga politika shtrënguese monetare dhe fiskale, që kanë ndikuar në ngadalësimin e rritjes së ofertës së monedhës vendase krahasuar me vitet e mëparshme.

Kjo situatë po favorizon gjithnjë e më shumë ato subjekte që kanë shpenzime në euro dhe të ardhura në lekë, ku përfshihen sidomos importuesit, qeveria shqiptare dhe huamarrësit e tjerë privatë.

Forcimi i lekut në teori duhet t’i bëjë më të lira importet dhe të japë një efekt pozitiv në nxitjen e konsumit privat. Gjithashtu, leku më i fortë ul barrën e borxhit në monedhën europiane dhe lehtëson buxhetet nga shpenzimet për pagesën e kësteve të huave.

Megjithatë, gradualisht forcimi i lekut pritet të ketë një ndikim negativ në të ardhurat e buxhetit të shtetit, sidomos nga tatimet indirekte dhe kryesisht nga TVSH-ja.

Në një këndvështrim të përgjithshëm, forcimi i monedhës vendase ka tendencën të ngushtojë deficitin e llogarisë korrente, duke qenë se ekonomia shqiptare ka një pozicion të jashtëm deficitar, pra, importon mallra dhe shërbime më shumë nga sa eksporton.

Por, ata që po vuajnë pasojat më të forta negative nga ky forcim i monedhës vendase janë eksportuesit. Forcimi i lekut po ndikon direkt në rënien e të ardhurave dhe në tkurrjen e marzheve të fitimit.

Për bizneset turistike që të ardhurat i sigurojnë në euro, kryesisht për sektorin e hotelerisë, forcimi i lekut do të shuajë një pjesë të fitimeve nga rritja e numrit të turistëve të huaj. Në përgjithësi, një monedhë vendase më e fortë e bën pak konkurrues eksportin e mallrave dhe shërbimeve shqiptare për blerësit e huaj. /Monitor

Burimi: BSH
Burimi: BSH