Aktivisti i Vetëvendosjes, Agron Kabashi, është sulmuar fizikisht me sende të forta. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:35 të mbrëmjes së mërkurës në rrugën “Muharrem Fejza”.

Kabashi mësohet se kishte shoqëruar me makinë Sekretarin Organizativ, Dardan Molliqaj, në studiot e “Klan Kosovës”, për xhirimin e një emisioni.

Pas largimit nga emisioni ai kishte dërguar në shtëpi Dardan Molliqajn dhe ndërsa shkonte në banesën e tij me veturë, është goditur me shufra metalike, nga persona ende të paidentifikuar.

Aktivisti i VV-së mësohet se ka marrë lëndime trupore dhe ka marrë mjekim në Qendrën Emergjente të QKUK-së.

Në njoftimin e saj në faqen zyrtare të “Facebook”-ut, VV thotë se këta persona e kanë kërcënuar aktivistin Kabashi dhe i kanë thënë që të mos e shoqërojë më asnjëherë Molliqajn.

“Kjo tregon se sulmi ka motive politike dhe është sulm ndaj Sekretarit Organizativ të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”

Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërsa gjendja shëndetësore e Agronit paraqitet e mirë.