DURRËS, 13 nëntor 2014–  Italiani i stolit kuqezi De Biazi ka preferuar që më shumë sesa të debatojë në distancë me lojtarin e tij, të publikojë bisedën me mesazhe që pat bërë javën e shkuar me Mehën. Të enjten, De Biazi i ska shkruar Mehës (në anglisht) mbi vendimin (duke i marrë edhe mendim), për mos ta grumbulluar në këto dy miqësore. "Përshëndetje Alban. Pashë golin tënd të bukur dhe të parë që shënove në Bundesligë. Poli më kërkoi që ti të vije në Kombëtare… OK, por unë mendoj se ti nuk je ende në formën më të mirë. Po të lë në dispozicion të klubit tënd, kështu që të kesh mundësi të punosh fort. Për mua dhe për ne është e rëndësishme ndeshja e marsit ndaj Armenisë. Më thuaj çfarë mendon…" Ndërkohë Meha i përgjigjet: "OK, trajner, e pranoj". Më pas italiani i dërgon një tjetër mesazh me këtë përmbajtje: "Nuk ka përjashtim për çështje teknike, por sepse ti nuk je ende në 100-përqindëshin tënd dhe luajte 90 minuta. Për ne, ti je një lojtar shumë i rëndësishëm! OK?". Më pas përgjigja e fantazistit është e shkurtër: "Ok" Pak a shumë këtë gjë De Biasi e sqaroi edhe në konferencën për shtyp të ditës së shtunë, kur publikoi edhe listën e lojtarëve për dy ndeshjet e radhës. "Meha duhet të përqendrohet në rikuperimin e tij tërësor, pasi, ai është një lojtar që na duhet për ndeshjen e marsit të vitit tjetër dhe Albani e di fort mirë këtë gjë", tha De Biasi.