Misioni i motrave benediktine në qytetin e Durrësit nis që në vitet e para të demokracisë. Me pasionin e tyre për fenë dhe dëshirën për t’u ardhur në ndihmë njerëzve këto motra kanë dhuruar jo pak dashuri tek njerëzit në nevojë, jo vetëm të komunitetit katolik të qytetit. Njëra prej tyre njihet nga shumë breza në Durrës, si nga fëmijët ashtu dhe të rriturit.

Dhe kjo është motër Donata, siç e njohin të gjithë apo Adelaide Montagnoli, siç është emri i saj i vërtetë. Rreth 20 vite më parë ajo do të hapte një ndër shkollat e para jo publike në qytetin bregdetar, “Vinçens Prenushi” e që prej asaj dite prej saj do të dilnin me qindra e mijëra fëmijë të shkolluar aty. Për këtë kontribut të madh të dhënë në lëmin e arsimit dhe edukimit Këshilli Bashkiak i Durrësit vendosi t’i akordojë asaj titullin “Qytetar Nderi”.

Titulli iu akordua motër Donatës në një ditë me rëndësi historike për Durrësin, më 14 nëntor, ditën e çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazifashistë. Në aktivitetin e organizuar me këtë rast në sallën e teatrit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, shkolla 9-vjeçare “Vinçens Prendushi” kishte përgatitur për të pranishmit një program të pasur artistik me këngë e valle popullore.

Salla e teatrit ishte mbushur plot e përplot me nxënës, mësues dhe ish nxënës të kësaj shkolle, që kishin ardhur për të qenë të pranishëm në nderimin e motër Donatës, drejtoreshës së shkollës së tyre. Një dokumentar i përgatitur me këtë rast i njohu të pranishmit me jetën e Suorës, arsimimin e saj dhe angazhimin shumë vjeçar në qytetin e Durrësit.

Me një përkushtim të madh për edukimin e brezit të ri motër Donata i ka kushtuar gjatë gjithë këtyre viteve një përkujdesje të veçantë jo vetëm arsimimit të tyre, por edhe kultivimit tek ata të dashurisë për artin dhe për sportin, gjë që e dëshmojnë më së miri paraqitjet mjaft dinjitoze të kësaj shkolle në aktivitete në rang qarku apo edhe më gjerë. Në të njëjtën kohë motër Donata nuk harroi për asnjë moment misionin e saj fisnik për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Kështu të gjithë në Durrës e mbajnë mend angazhimin e saj për të mbledhur ndihma për familjet e varfëra gjatë vitit të mbrapshtë 1997, apo solidarizimin e saj me dhimbjen e popullit kosovar në vitin 1999, kur shumë ambiente të shkollës u vunë në dispozicion të kosovarëve të larguar nga trojet e tyre nga represioni serb.

Gjatë fjalës në tij në dokumentarin e përgatitur për motër Donatën, por edhe para publikut në sallë prefekti i Durrësit, Genc Alizoti nënvizoi se titulli i akorduar për këtë misionare të palodhur është një nderim që qyteti i bën asaj, që për asnjë çast nuk ka harruar t’u vijë në ndihmë të pamundurve dhe të punojë fort për arsimimin dhe edukimin e të rinjve.

Të njëjtin vlerësim shprehën për motër Donatën edhe kryebashkiaku Vangjush Dako e deputeti Igli Cara. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, i dorëzoi titullin e lartë motër Donatës me motivacionin: “Nëpërmjet punës së saj të palodhur ka edukuar breza të tërë me frymën e dashurisë, paqes dhe mirëkuptimit”. E emocionuar për nderin e lartë që iu akordua motër Donata zgjodhi të falenderonte në shqip duke thënë para të pranishmëve: “Më bëtë të ndihem si në shtëpinë time”.      

Kush është motër Donata?

Adelaide Montagnoli lindi më 22 qershor 1937 në Buenos Aires, Argjentinë, në një familje të thjeshtë emigrantësh të ardhur nga Italia. Fëmijërinë e saj e kaloi në Buenos Aires. Ajo ishte shumë e lidhur me prindërit dhe vëllain e saj më të vogël. Që e vogël kishte dëshirë të madhe të lexonte libra dhe të dëgjonte muzikë. Në moshën 12 vjeçare kthehet në Itali dhe vendoset në qytetin Bogera. Gjatë viteve të shkollës së mesme ndjeu thirrjen dhe vendosi, në kundërshtim me familjen e saj, të bëhej motër misionare. Në vitin 1958 mori kushtet e para fetare dhe u bë murgeshë benedektine e urdhrit benediktin të Provanisë Hyjnore. Mikpritja, përkujdesja, edukimi u bënë motoja e motër Donatës. Nga viti 1959-1991 iu përkushtua mësimdhënies në shkollat e Bogerës, si mësuese e muzikës në shkollën e mesme dhe ajo e edukimit teknologjik në shkollën e detyruar. Pasi mbërriti në Durrës në 15 shkurt të vitit 1992, ajo do të përkushtohëj për mëse 20 vite në misionin e saj fisnik, për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë dhe për të edukuar brezin e ri.